Tottenham nuk lejon shitjen e Harry Kane te rivali i Premierligës
Tottenham ka vendosur të mos e shesë sulmuesin Harry Kane pavarësisht që lojtari hynë në vitin e fundit të kontratës.
Kapiteni i Anglisë ishte i lidhur me kalimin te Manchester United këtë vit, derisa verën e kaluar ishte pranë Manchester Cityt.
Sidoqoftë, "The Times" raporton se Tottenham ka vendosur përfundimisht që lojtari nuk do t'i bashkohet asnjë skuadre të Premierligës.
Kjo nuk nënkupton që do të vazhdojë qëndrimin te Spurs me Bayern Munichun që është duke e vëzhguar situatën, derisa edhe Real Madrid shihet si një destinacion i mundshëm.
Kane do të mbush 30 vjet në korrik dhe ka vetëm një vit të mbetur në kontratë, por Tottenham nuk dëshiron të përforcojë asnjë rival në kampionat.
29-vjeçari realizoi golin e 200-të në Premierligë në fitoren ndaj Man Cityt të dielën dhe është duke iu afruar gjithnjë e më shumë rekordit të Alan Shearer prej 260 golave (më së shumti në histori të kampionatit anglez).
Pavarësisht që tashmë ka fituar Këpucën e Artë, Kane ende nuk ka shijuar asnjë trofe me Tottenhamin.
Një kalim te Bayern Munich ose Real Madridi do t'ia rriste shanset për ta ndryshuar këtë gjë, por më pas duhet ta harronte rekordin e Shearer.
Kane haptas ka pranuar në të kaluarën se dëshiron të jetë golashënuesi më i mirë në histori të Premierligës: "Është gjithnjë në mendjen time, por shkoj ndeshje pas ndeshje, sezon pas sezoni".
"Padyshim është aty për t'u thyer dhe po ndihem mirë prandaj të shohim se çfarë do të ndodhë".