Tottenham mposht Manchester Cityn, "Topçinjtë" ruajnë distancën në krye të tabelës
Tottenham ka triumfuar kundër Manchester Cityt në kryendeshjen e javës së 22-të në Premierligë, duke fituar me rezultat 1:0. Skuadra e Pep Guardiolas dështoi që të përfitojë nga hapi fals që bëri dje Arsenali, pasi u mposht nga Everton 1:0.
Në Londrën Veriore pati gëzim në të dy anët: si nga tabori i Tottenhamit, ashtu edhe nga ai i Arsenalit. Tottenham sërish vërtetoi se është bërë një macë e zezë për skuadrën kampione në fuqi.
Ndeshja nisi mjaft mirë për vendësit që në fillim. Tottenham hyri në fushë duke qenë shumë kërkues në lojën e saj.
Kështu, në minutën e 15-të erdhi edhe goli vendimtar për fatin e kësaj ndeshje. Pasi gaboi Rodri në gjysmëfushën e vet, Tottenham përfitoi në mënyrën më të mirë për ta dënuar atë.
Mesfushori danez Hojbjerg pasoi për Kane. Ky i fundit në afërsi të zonës tregoi gjithë intuitën e jashtëzakonshme që ka për gol, duke shënuar për epërsinë 1:0.
Në minutat në vijim ndeshja ishte shumë e luftuar nga të dy anët. Tottenham rezistoi duke treguar një kompaktësi të mirë në mbrojtje, por edhe rrezikoi përmes kundërsulmeve.
Në anën tjetër, Manchester City nuk arriti që t’i konkretizojë rastet e veta, edhe pse në disa raste lojtarët e saj ishin në pozita të mira shënimi.
Vlen të theksohet se pak minuta para përfundimit të ndeshjes, gjegjësisht në minutën e 87-të, Romero u ndëshkua me kartonin e dytë të verdhë. Si rrjedhojë, ai u përjashtua nga loja, duke lënë Tottenhamin për nëntë minuta me disavantazh numerik në fushë.
Gjithsesi, Tottenham e menaxhoi mjaft mirë kapitalin prej një goli edhe me një lojtar më pak, duke konfirmuar një fitore të madhe.
Pas kësaj fitore, Tottenham ngjitet në kuotën e 39 pikëve në pozitën e pestë tabelore, kurse Manchester City ngelet në pozitën e dytë me 45 pikë, duke mbetur pesë pikë mbrapa Arsenalit. Mirëpo, “Topçinjtë” kanë edhe një ndeshje më shumë për ta zhvilluar.

Përmbledhja e ndeshjes Tottenham - Manchester City:
