Tottenham fundos Evertonin, siguron fitoren e radhës në Premierligë
Tottenhami po vazhdon me formë të mirë në Premierligë. Sot, londinezët shënuan fitore të pastër me rezultat 2:0 ndaj Evertoni.
Prej se Antonio Conte ka marrë drejtimin e Tottenhamit, gjërat kanë filluar të ndryshojnë për të mirë. Pasi ia doli që ta bëjë një mrekulli duke bërë që skuadra të kualifikohej në Ligën e Kampionëve, ecuria pozitive nuk ka të sosur edhe në këtë fillim të kampionatit.
Në asnjë moment sot nuk e vuri në diskutim fitoren, duke dëshmuar një mbizotërim të lartë në fushë. Everton ishte i pafuqishëm që t’u bënte ballë sulmeve të vendësve.
Për më tepër, tani e tutje Antonio Conte mund të llogarisë në një Harry Kane që ka gjetur sërish afinitetin dhe instiktin e golit, pas një periudhe ku ishte në agjërim golash.
Raporti i ndeshjes Tottenham 2:0 Everton
Tottenhami prej minutave të para ishte ekipi që qarkulloi më shumë topin në fushë, duke bërë përpjekjet maksimale që ta zhbllokonte sa më parë sfidën.
Megjithatë, në pjesën e parë nuk është se u vunë në pah raste të njëmendta për shënim. Harry Kane në minutën e 45+2’ u përpoq ta zinte në befasi portierin kundërshtar, por pa sukses.
Pjesa e dytë nisi me të njëjtën pasqyrë. Tottenhami u vërsul edhe më shumë në sulm, duke bërë presion në gjysmëfushën e Evertonit.
Në minutën e 58-të portieri anglez i Evertonit, Jordan Pickford, bëri një ndërhyrje të ashpër në brendi të zonës, duke shkaktuar kështu penaltli.
Pa ngurruar gjyqtari i ndeshjes akordoi 11-metërsh në të mirë të Tottenhamit. Nga pika e bardhë përgjegjësin për ta ekzekutuar penalltinë e mori kapiteni i skuadrës, Harry Kane, i cili shënoi për 1:0 në minutën e 59-të.
Në minutat në vazhdim Tottenhami vazhdoi ta kishte nën kontroll ndeshjen, duke mos i lënë ndonjë hapësirë të theksuar Evertonin që ta kërcënonte portën e vet.
Goli i sigurisë për ekipin e Antonio Contes erdhi në minutën e 86-të. Ishte Bentacour ai që pasoi mirë për mesfushorin danez, Pierre-Emile Hojbjerg, i cili me anë të një goditje që u favorizua nga një devijim, mposhti Pickfordin, duke dyfishuar epërsinë në 2:0.
Kështu përfundoi edhe e gjithë sfida, me Tottenhamin që siguroi një fitore tejet të vlefshme. Me këtë triumf nikoqirët momentalisht ngjiten në pozitën e 3-të tabelore me 23 pikë. Ndërsa Evertoni ngelet në një pozitë jo të favorshme tabelore, gjegjësisht në atë të 14-tën, sa për të konfirmuar se nuk ishte rastësor rendimenti i vitit të kaluar.

Ekipi i Frank Lampard deri më tani ka tubuar vetëm 10 pikë dhe kjo e sotmja ishte humbja e dytë rresht në kampionat.
