Tjetër dënim për Gjilanin për shkak të dhunës së tifozëve të tij ndaj portierit Stivi Frashëri
Gjilani është dënuar me tri ndeshje pa tifozë si vendas nga komisioni i garave i Federatës së Futbollit të Kosovës, për shkak të dhunës që tifozët e tij ushtruan ndaj portierit të Ballkanit, Stivi Frashëri, në ndeshjen e fundjavës në Superligë.
Për më tepër, skuadra e Ismet Munishit nuk do të ketë të drejtë t’i zhvillojë ndeshjet si vendas në Stadiumin e Qytetit në Gjilan, aty ku ndodhi incidenti i tmerrshëm.
Gjilani u dënua dje nga ky komision me humbjen e ndeshjes me rezultat zyrtar 3:0, pasi takimi ishte pezulluar në kohën shtesë kur rezultati ishte 1:1. Si pasojë, klubi ndeshjet mund t’i zhvillojë në terrenin me bari sintetik në Gjilan ose në stadiumet tjera ku të dëshirojë, njofton FFK-ja.
“Lëshim në organizimin e ndeshjes Gjilani – Ballkani zhvilluar me 03.04.2022 në stadiumin e qytetit në Gjilan...Bazuar 53 paragrafi 1 pika B i Rregullores disiplinore: Dënohet me 3 (tri) ndeshje zyrtare pa praninë e shikuesve si dhe jashtë fushës së stadiumit të qytetit në Gjilan. SC ”Gjilani” ndeshjet mund t’i zhvillojë në terrenin me bari sintetik në Gjilan ose në stadiumet tjera ku klubi dhe shtabi teknik vendosin”, thuhet në njoftimin e FFK-së.
Stivi Frashëri i Ballkanit u sulmua dhunshëm në fushën e lojës nga disa tifozë të Gjilanit, të cilët e pushtuan fushën pasi skuadra e tyre e kishte barazuar rezultatin kundër liderit të Superligës në kohën shtesë, duke e hedhur për toke dhe shkelmuar në kokë portierin 31-vjeçar.
Ndeshja u pezullua dhe portieri shqiptar u dërgua në spital me ambulancë pasi i kishte humbur ndjenjat për disa minuta. Ai u lirua nga spitali të dielën vonë.
Dhuna në Gjilan ishte shumë tronditëse për shumë arsyeje dhe ndodh në një stadium në ndërtim e sipër, i cili nuk ka rrethoja mbrojtëse për t’ua parandaluar tifozëve futjen në fushë.
Në ndeshje kishte një numër të vogël të policisë për ruajtjen e sigurisë, pavarësisht rëndësisë së madhe të ndeshjes, duke qenë se lideri po luante në shtëpinë e sfiduesit për titull.
FFK-ja, si organizatore e Superligës dhe mbikëqyrëse e garave ia kishte dhënë lejen Gjilanit për zhvillimin e ndeshjes në këtë stadium, për të cilin e dënoi tani dhe ia ndaloi të luajë në ndeshjet e ardhshme.