Tifozët e Juventusit gozhdojnë Bonuccin: Nuk ka qenë lider e as nuk do të jetë kurrë - NACIONALE

Tifozët e Juventusit gozhdojnë Bonuccin: Nuk ka qenë lider e as nuk do të jetë kurrë

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Juventus po shënon një krizë të thellë të rezultateve. Humbjet e njëpasnjëshme në kampionat dhe Ligën e Kampionëve kanë irrituar tifozët. Sonte, ata dolën me një komunikatë të ashpër kundër kapitenit Leonardo Bonucci.

“Zonja e vjetër” humb një ndeshje dhe Leonardo Bonucci shkon para tifozëve për të kërkuar falje. Një skenë që përsëritet vazhdimisht tani e disa javë.

Duket se edhe vetë tifozët e Juventusit nuk po arrinë që ta përballojnë një gjë të tillë. Ata nuk kanë fare mëdyshje te fakti se Bonucci nuk përfaqëson vlerat e një lideri.

Ky është reagimi më i fortë nga tifozët qëkur skuadra e Allegrit është futur në një vorbull të paqëndrueshëm, ku mungojnë si rezultatet, ashtu edhe idea e lojës.

Reagimi i tifozëve ndaj Bonuccit

Rreshtimi i tifozëve ultrasë të Juventusit kundër kapitenit të skuadrës, Leonardo Bonucci, ka lënë gojëhapur shumë veta, pasi nuk parashikohej të ndodhte një dalje e tillë publike.

“Jemi dëshmitarë të skenave që nuk i kuptojmë dhe na bëjnë të qeshim. Ose, thënë ndryshe, skena nga dikush që profilizon veten si lider, por sillet si viktimë për t’u sakrifikuar. Bonucci nuk ka qenë asnjëherë lider dhe nuk do të jetë kurrë”, shkruhet në një pjesë të kumtesës së tifozëve të Juventusit.

Juventusi po kalon në një kakofoni gjithëpërfshirëse, ku ka zëra e mendime të ndryshme në lidhje me projektin që duhet ta shtyjë përpara skuadra. Siç njoftuan mediet më të besueshme italiane gjatë orëve të fundit, një pjesë e drejtuesve është për t’i dhënë akoma besim Allegrit, kurse njëri nga ta, Pavel Nevded, bën presion që të shkarkohet menjëherë.

Një huti që ka kapluar jo vetëm ambientin e drejtuesve të klubit dhe lojtarëve, por edhe të tifozëve. Në rrjete sociale jo të gjithë shfaqin antipati për Bonuccin. Të shumtë janë ata tifozë të Juventusit që e vlerësojnë kontributin e tij. Gjithsesi, ultrasit e Juventusit nuk pajtohen me faktin se si Bonucci i shoqëron bashkëlojtarët e tij pas ndeshjeve që të qëndrojnë para tyre, duke i dëgjuar kontestimet që ua bëjnë.

“Të sjellën lojtarët profesionistë si viktima të sakrifikuara për t’i shikuar tifozët e tyre teksa i vërshëllejnë dhe ofendojnë, duke krijuar një kontestim legjitim një muaj pas fillimit të kampionatit – është thejsht absurde”, shkruhet në komunikatën e tifozëve të “zonjës së vjetër”.

Allegri para ndeshjes kundër Monzas kishte kërkuar nga skuadra që të mos ia mundësonin një pushim të keq gjatë pauzës së kombëtareve, por ashtu nuk ndodhi.

Skuadra lombardeze shënoi histori duke e mposhtur dhe mbizotëruar Juventusin, sa për ta fortifikuar edhe më shumë krizën e rëndë që po kalon skuadra më e trofeshme në Itali.

Lajme të ngjashme