Thuram: Interi e dëshiroi fitoren, por jemi të lumtur me kualifikimin
Sulmuesi i Interit, Marucs Thuram, thotë se janë paksa të zhgënjyer që nuk e mposhtën Real Sociedadin në ndeshjen e tyre të fundit në fazën grupore, por që shtoi se si ekip janë të lumtur që siguruan fazën e eliminimit direkt.
Zikaltrit luajtën një barazim 0:0 në San Siro kundër fituesve eventualë të grupeve, pasi kishin garantuar tashmë kualifikimin e tyre në xhiron e kaluar të ndeshjeve.
Megjithatë, përfundimi në vendin e dytë ka një ndikim te kundërshtarët e mundshëm të Interit në raundin e 1/16, pasi ata tani do të duhet të përballen me një fitues të një grupi, që do të thotë se mund të jenë kundër Bayern Munich, Real Madrid ose kampionët në fuqi Manchester City.

“E dinim se do të ishte si një finale në grupin tonë, donim të fitonim, por jemi të lumtur që jemi në fazën e eliminimit direkt”, tha Thuram për Sky Sport News pas përfundimit të ndeshjes të martën mbrëma.
“Kemi luajtur një ndeshje të mirë kundër një ekipi shumë të mirë, të gjitha janë ndeshje të vështira në Ligë të Kampionëve”.
Francezi u pyet nëse kishte ndonjë kundërshtar që do të donte të shmangte në raundin tjetër të garës, por aktualisht është shumë herët për të thënë, tha ai.
"Gjithçka është e komplikuar, së shpejti do të dimë kundër kujt do të luajmë."
Nuk ka pushim për zikaltrit, të cilët kthehen në Serie A në fundjavë me një udhëtim në Romë për t'u përballur me Lazion e Maurizio Sarri në Stadio Olimpico.
Interi dhe Juventusi janë aktualisht në një garë magjepsëse për titullin e Serie A-së.
“Po, i gjithë fokusi është te ndeshja e së dielës”, tha Thuram për fund.