Thiago Silva: Do të doja që Ancelotti ta udhëhiqte Brazilin, me apo pa mua
Thiago Silva ka përkrahur mundësinë që Carlo Ancelotti të jetë trajner i kombëtares së Brazilit pas raportimeve se e ardhmja e trajnerit në Real Madrid është në pikëpyetje.
Kombëtarja e Brazilit ende është në kërkim të një trajneri të përhershëm, me Titen që u largua pas humbjes tronditëse në çerekfinalen e Kupës së Botës kundër Kroacisë.
Për herë të parë në historinë e tyre, Brazili po mendon të punësojë një trajner të huaj me Ancelottin ose Jose Mourinon që raportohet se janë duke u shqyrtuar dhe janë favoritët e Federatës braziliane.
Thiago Silva ka punuar me italianin në Milan si dhe në PSG. Silva ka folur për TJ Sports USA: “Të jem i sinqertë do të doja që të ishte ai sepse nga shoqëria që kemi bashkë dhe nga mirëkuptimi që kemi me njeri-tjetrin. Ai ishte trajneri im i parë në Evropë, në Milan. Çfarë ka bërë ai në karrierën e tij tregon që është gati. Nuk e di nëse do të jem pjesë e skuadrës së Brazilit por do doja që ta pranonte ofertën dhe të bëjë ekipin të luajë në mënyrën siç do ai të luhet futbolli.”

Është përfolur për një kalim të mundshëm të Ancelottit në Chelsea pasi që ata janë në proces të zëvendësimit të Graham Potterit. 63-vjeçari ka ende mbi 12 muaj të mbetur deri në skadimin e kontratës së tij aktuale me Real Madridin dhe në fillim të kësaj jave insistoi se dëshiron të qëndrojë deri në përfundim të kësaj kontrate, pavarësisht se skuadra e tij është 13 pikë mbrapa rivalëve spanjollë Barcelonës.
“Unë mendoj kështu. Presidenti ka qenë gjithmonë shumë i dashur me mua dhe ai akoma është. Duhet të shohim përpara. Ne do të jemi këtu sezonin e ardhshëm, padyshim që do ta respektojmë kontratën”, tha Ancelotti kur u pyet së fundmi nëse ndihet i mbështetur nga bordi i Real Madridit./Orselina Lazraj

