Thiago Motta: Interi ka dobësi
Trajneri i muajit në Serie A, Thiago Motta, e admiron punën e trajnerit Simone Inzaghi, por paralajmëronn se të gjitha skuadrat kanë një dobësi, dhe skuadra e tij shpreson ti gjejë këto pika te lideri italian, Interi.
Kjo është një betejë mes skuadrave të formës më të mirë në Serie A tani, pasi Zikaltrit janë 15 pikë përpara në krye të tabelës dhe Rossoblu janë në vendin e katërt pas gjashtë fitoreve radhazi.
Kjo seri rezultatesh i dha Thiago Mottas çmimin si trajneri i muajit në Serie A për shkurt.
“Jam i lumtur me çmimin, varet nga puna e palodhur e stafit tim dhe lojtarëve, pasi pa ta nuk do të ishte e mundur”, tha trajneri në konferencën e tij për shtyp.
Bologna e mbajti Interin në një barazim më herët këtë sezon dhe e eliminoi nga Kupa e Italisë, por skuadra e Simone Inzaghit fitoi të 12 ndeshjet e tyre konkurruese të luajtura në 2024.
“Interi është favorit në Serinë A, ata arritën në finalen e Ligës së Kampionëve sezonin e kaluar, kështu që ne kemi respekt të madh për kundërshtarët tanë. Unë e admiroj shumë Inzaghin, ai ka idetë e tij, është i bindur për atë që dëshiron të shohë dhe ne do të bëjmë më të mirën për të marrë një rezultat pozitiv. Të gjitha skuadrat kanë dobësi. Nuk ka asnjë skuadër që është e pamposhtur, edhe pse qartë në këtë nivel ka më pak pika të dobëta.”
Pak prisnin që Bologna të konkurronte për një vend në Evropë këtë sezon, e lëre më në Ligën e Kampionëve.
“Ne jemi aty ku i përkasim duke marrë parasysh gjithçka që kemi bërë deri më tani, jo vetëm në ndeshje, por edhe në stërvitje. Djemtë e dinë që ne duhet të mbajmë të njëjtin qëndrim deri në fund. Tifozët tanë na brohorasin dhe ne jemi gati për një paraqitje të shkëlqyer kundër asaj që për momentin është skuadra më e mirë në ligë”.
Pas fitores 2:1 si mysafir ndaj Atalantës, rreth 1000 tifozë të Bolognës u mblodhën në terrenin stërvitor për të mirëpritur skuadrën e kthyer nga Bergamo.
“Jam shumë mirënjohës për dashurinë e tifozëve dhe jam krenar sepse ata e njohin veten në këtë ekip. Kam besim se mbështetja e tyre do të jetë e njëjtë edhe kur gjërat nuk shkojnë aq mirë.”