Tensione mes Interit dhe Milanit në prag të ndeshjes së kthimit në Ligën e Kampionëve
Tensionet mes pronarëve të Interit Steven Zhang dhe Milanit Gerry Cardinale kanë vazhduar edhe në prag të ndeshjes së kthimit gjysmëfinale në Ligën e Kampionëve sot në mbrëmje.
Zhang dhe Cardinale nuk janë takuar në drekën tradicionale para ndeshjes.
Raportohet se pronarët e dy klubeve rivale të Milanos nuk kanë marrëdhënie të mira dhe e kishin injoruar njëri-tjetrin edhe në ndeshjen e parë gjysmëfinale para një jave, të cilën e fitoi Interi 2:0 në San Siro.
E njëjta ndodhi sot, para ndeshjes dhe pritet të ndodhë pas saj. Mediat italiane raportuan sot se ata nuk u takuan mes vete në drekën tradicionale të organizuar nga UEFA para ndeshjes.
Kjo është një rutinë që Milani nuk e ka përcjell që nga sezoni 2020/21, edhe pse Interi vazhdimisht i ka takuar krerët e klubeve kundërshtare në ndeshjet e tyre evropiane.

Ndeshja e sotme luhet në Stadio Meazza, që është ndeshje në shtëpi për zikaltrit, por takimi me kundërshtarët nuk ndodhi.
Tuttosport shkroi se Zhang dhe Cardinale nuk kanë folur kurrë publikisht e as nuk i kanë shtrënguar duart qëkur biznesmeni amerikan e mori përsipër Milanin në gusht.
Besohet se projekti i stadiumit të ri është njëra prej arsyeve pse pronarët e klubeve të Milanos nuk kanë marrëdhënie të mira.
Interi shpresonte në ndërtimin e stadiumit të ri pranë atij të Milanit në zonën e San Siros, por kuqezinjtë janë larguar nga projekti dhe synojnë ta ndërtojnë një stadium të ri në një zonë tjetër.
