Ten Hag telefonon Rabiotin për ta bindur që t’i bashkohet Manchester Unitedit
Adrien Rabiot është afër kalimit në Manchester United. Një gjë të tillë po e shtyn edhe më shumë vetë trajneri i “djajve të kuq”, Ten Hag.
Humbja e fundit e Manchester United kundër Brighton, ka bërë që të shkunden paksa themelet e skuadrës, me nevojën emergjente për të bërë përforcime të reja.
Emri i ri më i përfolur në repartin e mesfushës është Rabiot. Mesfushori francez nuk është se ka shfaqur paraqitje shumë të mira me Juventusin. Për më tepër, ai nuk ia ka dalë asnjëherë që të jetë i dashur nga publiku, duke mos arritur t’i bëjë për vete me paraqitjet e tij.
Njëri ndër akterët më relevantë në të gjitha negociatat që po zhvillohen për Rabiot është edhe trajneri i Manchester United, Ten Hag.
Telefonata e Ten Hag për Rabiot
Siç raportojnë mediet italiane të afërta me Juventusin, siç është TuttoSport njëra nga to, Ten Hag ka filluar të ketë një rol kyç në përpjekjet e tij për t’ia hequr çdo mëdyshje Rabiotit, duke biseduar drejtpërdrejt me të pëmes telefonit, në mënyrë që t’i përshpejtojë hapat për t’iu bashkuar Manchester Unitedit.
Një bisedë e tillë mendohet të ketë ngjarë gjatë ditës së hënë. Paralelisht, po vazhdojnë edhe negociatat mes dy klubeve, në përpjekje të gjetje së një gjuhe të përbashkët, për t’i paraprirë ujdisë.
Vullneti i lojtarit është që të ndryshojë ambient. Manchester Unitedin e sheh si një destinacion të përshtatshëm, sidomos kur kemi parasysh edhe fuqinë ekonomike që posedon.
Fakti se do të kishte edhe një rritje të pagës, është vullnet shtesë për të që ta pranojë ofertën e Manchester Unitedit.
Cilat janë kërkesat e Juventusit?
Për Juventusin një mesfushor si Rabiot nuk konsiderohet i pashitshëm. Andaj, drejtuesit juventinë janë në masë të madhe të hapur që ta dëgjojnë palen e interesuar, gjegjësisht Manchester Unitedin, për ofertën që ka ndër mend ta paraqesë.
Gjithsesi, Juventus nuk dëshiron që të privohet edhe aq lehtë nga shërbimet e tij. Kërkesë e qartë e klubit torinez është që t’i inkasojë të paktën 20 milionë.
Ndërsa, vullneti i Manchester Unitedit është që të paguajë deri në 15 milionë. Dikur për afër 20 milionë pritet që të arrihet marrëveshja.

