Ten Hag: Llogaris në Ronaldon, dëshiroj që të qëndrojë pjesë e skuadrës deri në fund të sezonit
Cristiano Ronaldo nuk është ftuar për ndeshjen ndaj Chelseat, por trajneri holandez, Ten Hag, edhe një herë shprehu dëshirën e tij që gjërat të rikthehen në binarin e duhur, për ta pasur sërish sa më parë sa më parë në gatishmëri yllin portugez.
Gjithçka kulmoi mbrëmjen e të hënës kur Ronaldo iu drejtua zhveshtores në minutën e 89-të pa pritur të përfundonte ndeshja ndaj Tottenhamit.
Për trajnerin Ten Hag dhe vetë drejtuesit e klubit një sjellje e tillë ishte e pafalshme, me ç’rast ndërmorën edhe hapa konkretë, duke e përjashtuar atë nga lista e lojtarëve të grumbulluar për sfidën derbi të fundjavës ndaj skuadrës së Potter.
Përkundër shumë telasheve të javëve të fundit, trajneri i Manchester Unitedit insiston se llogarit shumë te pesë herë fituesi i Topit të Artë.
Kur u pyet në lidhje me mundësinë që të bëjnë ndonjë afrim në fazën e sulmit gjatë dritares të transferimit të lojtarëve në janar, ai u përgjigj: “Llogaris në Cristiano Ronaldon. Kështu që, tani për tani nuk është në rend të ditës përforcimi me ndonjë sulmues të ri gjatë janarit.”
Në pyetjen e gazetarëve nëse do të ishte i lumtur që Cristiano Ronaldo të qëndrojë në klub deri në fund të sezonit dhe nëse ai do ta bëjë një gjë të tillë, trajneri 52-vjeçar u përgjigj në formë të shkurtër, por qartazi: “Po, të dyjat.”
A do të stërvitet Ronaldo të hënën së bashku me skuadrën?
Ish-trajneri i Ajaxit tregoi se sulmuesi 37-vjeçar do të vazhdojë të stërvitet i vetmuar gjatë ditëve në vijim. Ai shpreson që ta ketë sërish në radhët e skuadrës për ndeshjen tjetër që do ta luajë pas kësaj fundjave, asaj ndaj Sheriffit në Ligën e Evropës, aty ku futbollisti portugez ka bërë më së shumti paraqitje si titullar në këtë fillim të sezonit.
“Cristiano Ronaldo po stërvitet i vetëm për ta mbajtur veten në formë për ndeshjen tjetër kundër Sheriffit”, potencoi ai.

Nuk dihet nëse Ronaldo do të ftohet në seancën stërvitore të ditës së hënë për të marrë pjesë me të gjithë skuadrën. Ten Hag nuk ka dashur që ta paralajmërojë një gjë të tillë deklarativisht, duke ia lënë kohës për të vërtetuar se çfarë do të ngjajë deri atëherë.
“Së pari do të flasim. A do të jetë çështje e gjatë? Nuk e besoj. Jo!”, nënvizoi ai.
Trajneri holandez tregoi se nuk dëshiron që të privohet nga një lojtar siç është përfaqësuesi portugez: “Nuk dua që të mungojë. Dua që të jetë pjesë e skuadrës dhe të përfshihet, aq më shumë kur dihet se ka ndikim.”

