Ten Hag: Është dashur ta shënonim edhe golin e dytë, por ka kohë për t'u përmirësuar
Manchester United i është rikthyer rezultateve të mira në kampionat, pas një fillimi të kampionatit mjaft dëshpërues. Ten Hag është shfaqur i lumtur pas fitores ndaj Leiecester me rezultat 0:1.
Fillimi i edicionit 2022/2023 për Manchester Unitedin dukej një makth i njëmendtë, me humbje të njëpasnjëshme dhe turpëruese, siç ishin ato ndaj Brighton (1-2) dhe Brentford (4:0).
Gjërat filluan të normalizoheshin pasi "djajtë e kuq" mblodhën forcat dhe arritën ta fitojnë derbin e madh të Anglisë kundër Liverpool, me rezultat 2:1.
Ajo ishte një pikënisje e mirë për ta, për t'i regjistruar edhe dy fitore tjera në udhëtim, me rezultat të ngushtë 0:1 kundër Southampton dhe Leicester, por pa pësuar gol. Në lidhje me fitoren e fundit, atë të mbrëmshmen kundër Leicester, edhe vetë Ten Hag e komentoi në superlativ.
Deklarata e Ten Hag pas fitores kundër Leicester
Ten Hag po i jep shpresë tifozëve të Manchester Unitedit se është njeriu i duhur që mund ta udhëheqë skuadrën drejt rikëndelljes që i takon dhe të rikthehet në shkallën e paraqitjeve që janë mësuar ta shohin të gjithë këtë skuadër.
Ai fitoren e mbrëmshme kundër Leicester e komentoi si mjaft të rëndësishme, duke treguar edhe se ku ishte çelësi i fitores.
"Kemi bërë një tjetër hap para dhe jam i lumtur për këtë. Kemi treguar një shpirt të madh të skuadrës, me të gjithë njëmbëdhjetë lojtarët që kanë luftuar njëri për tjetrin", nënvizoi ai.
Trajneri holandez tregoi se ku pret të përmirësohet skuadra në ndërtimin e lojës për të qenë sa më shumë e rrezikshme për portën kundërshtare.
"Mund të jemi më të rrezikshëm në tranzicion. Në pjesën e dytë kemi pasur shumë hapësira para vetes, por nuk kemi arritur që t'i shfrytëzojmë siç duhej. Është dashur ta shënojmë golin e dytë. Duhet të jemi më determinues, por ka kohë për t'u përmirësuar", shtoi ai.
Tutje, trajneri holandez deklaroi se është i lumtur me paraqitjen e çdo lojtari që dje ishte në fushë për të kontribuar në fitoren e ekipit të udhëhequr nga ai.
"Jam i lumtur për paraqitjen e të gjithë lojtarëve të mi dhe që arritëm ta mbajmë portën e paprekur", potencoi Ten Hag.
Gjatë fundjavës Manchester United do të përballet në terrenin e vet, "Old Trafford", për ta pritur Arsenalin që është lider i kampionatit. Ten Hag u shfaq shumë i rezervuar për atë ndeshje, duke thënë se do të pret se çfarë do të ngjajë të dielën, pa dashur të komentojë tutje.
Kujtojmë se Manchester United zë vendin e pestë në renditjen tabelare me 9 pikë të grumbulluara pas pesë javësh të zhvilluara.

