Ten Hag drejtuar Guardiolas: Faleminderit për mësimet që m'i dhe
Trajneri i Manchester United, Erik ten Hag, ka falënderuar Pep Guardiolan dhe Manchester Cityn për siç thotë ai mësimet e dhëna në derbin e qytetit të dielën.
Djajtë e kuq u poshtëruan nga fqinjët e tyre të zhurmshëm në Etihad Stadium të dielën, duke humbur 6-3 dhe duke pranuar dy hat-tick, një nga Phil Foden dhe tjetrin nga sulmuesi më në formë në botë momentalisht, Erling Haaland. Ndonëse sigurisht një pilulë e vështirë për t'u gëlltitur, Ten Hag e ka bërë të qartë se ekipi i tij do të mësojë nga humbja.

Në një konferencë për shtyp, Ten Hag tha: "Do të kemi pengesa gjatë rrugës. Ne mundëm Arsenalin, mundëm Liverpoolin, të dielën patëm një ditë të keqe në fushë. City ishte më i mirë, ne duhet ta pranojmë këtë, por ne nuk mundemi ta pranojmë paraqitjen tonë të dobët. Kjo është ajo që ju bëni gjithmonë, ju respektoni kundërshtarin, por ne do t'i përmbahemi filozofisë dhe parimeve tona. Mund të marrim shumë vetëbesim nga mposhtja e Arsenalit dhe Liverpoolit, por tani kemi një kthim në realitet me Man Cityn. Kështu që faleminderit për mësimin, Pep dhe City. Ne duhet të kuptojmë, duhet t'i bëjmë gjërat shumë më mirë në fushë."

Humbja nga qytetarët, ia ndërpriti serinë e katër ndeshjeve radhazi të fituara, kështu duke i lënë djajtë e kuq nëntë pikë prapa liderit, Arsenal, por që ka një ndeshje më pak të zhvilluar.
Trajneri holandez në konferencën para ndeshjes në Ligën e Evropës kundër Omonia Nicosias, preku edhe çështje tjera veçmas humbjes nga Manchester City.
Fillimisht foli për Ronaldon, ku e theksoi sërish se portugezi nuk u inkuadrua në lojë vetëm për shkak të respektit dhe kjo nuk ka të bëjë me të ardhmen e tij në klub.
"Kur ne jemi 4-0 ose 6-1 duke humbur [kundër Manchester Cityt], unë thashë se nuk e futa atë [Cristiano Ronaldon] për respekt. Kjo nuk ka asnjë lidhje me të ardhmen e tij në klub.

“Nuk e shoh se është i pakënaqur, ai po stërvit mirë dhe po kënaqet duke qenë këtu”.
Ten Hag foli edhe për mesfushorin brazilian, Casemiro, që ende nuk po gjen vetën në formacionin titullar.
Casemiro deri më tani ka filluar në vetëm një ndeshje dhe atë në humbjen ndaj Real Sociedad në Ligën e Evropës 1:0 në shtëpi, ndërsa në të gjitha ndeshjet tjera është inkuadruar nga banka rezervë.

“Nuk ka të bëjë me Casen por me formën e McTominay që ka treguar ndeshje të mira. Case do të luajë rol të rëndësishëm në skuadër, ne e dimë të kaluarën e tij, trofetë e tij dhe shohim çdo ditë në stërvitje se ai mund të kontribuojë në ekip dhe jam shumë i bindur se do të jetë lojtar i rëndësishëm.”

