Të gjithë sytë në Gjilan, gara për titull merr kahje tjetër sot
Xhiroja e 27 në Superligën e Kosovës në futboll vazhdon sot me dy ndeshje tjera, por njëra do ta ketë vëmendjen absolute.
Bëhet fjalë për përballjen mes Gjilanit dhe Ballkanit në stadiumin e qytetit të këtij të parit, me fillim nga ora 13:30.
Shumë gjëra mund të mësohen sot nga kjo ndeshje, edhe pse ende ka shumë xhiro për t'u luajtur deri në fund.
Gjilani aktualisht pozicionohet në vendin e tretë, me 49 pikë, aq sa ka edhe Drita në të dytin ('Intelektualët' kanë një ndeshje më shumë të luajtur), ndërsa Ballkani kryeson në tabelë me 54 pikë, pesë më shumë se rivali i sotëm.
Një fitore eventuale e Gjilanit do ta bënte garën për titull jashtëzakonisht interesante deri në fund, por suharekasit sigurisht se do të këmbëngulin që kjo të mos ndodhë.
Me pak fjalë, kjo është ndeshja që do të marrë plotësisht vëmendjen e fansave të futbollit kosovar sot.
Dhe kjo, pavarësisht se në program është edhe një përballje tjetër, ajo mes Drenicës dhe Feronikelit, me fillim nga ora 14:00.
Drenica është vetëm dy pikë larg zonës së rrezikshme, teksa ka 32 në vendin e shtatë, ndërsa Feronikeli është i fundit me vetëm 12 pikë dhe pothuajse 'të siguruar' Ligën e Parë nga edicioni i ardhshëm.
Kujtojmë se dje u zhvilluan dy ndeshje të tjera, në kuadër të kësaj xhiroje.
Prishtina ka mposhtur Llapin me rezultat 2-1, në "Fadil Vokrrin" problematik.
Endrit Krasniqi fillimisht kaloi në epërsi kryeqytetasit me një gol në minutën e 51-të.
Besnik Krasniqi dyfishoi shifrat me anë të një goli në minutën e 65-të, për t'i dhënë hapësirë frymëmarrjeje nikoqirëve.
Mirëpo, Llapi nuk u dorëzua dhe arriti të ngushtojë disavantazhin në 2-1, duke qëlluar rrjetën përmes Drilon Fazliut.
Pavarësisht rasteve, gola të tjerë më nuk pati deri në fund dhe Prishtina fitoi tri pikët të cilat e ngrisin në vendin e pestë, me 35 pikë, gjashtë më pak se rivali i sotëm, Llapi.
Në përballjen tjetër, Drita mposhti Ulpianën me rezultat 3-2 në Lipjan.
Golat nga Jashari 5', Simonovski 25' dhe 59', ia vulosën fitoren "Intelektualëve".
Në anën tjetër, Ulpiana luftoi fuqishëm, derisa shënoi dy herë me anë të Rrezit 20' dhe Makollit 43', por nuk arriti ta evitojë disfatën në fund.
Pas kësaj fitoreje, Drita grumbullon 49 pikë dhe ngjitet në vendin e dytë, me pesë më pak se lideri Ballkani, por ky i fundit ka një ndeshje më pak të luajtur.
Në anën tjetër, Ulpiana mbetet në pozitën e parafundit me vetëm 24 pikë.