"Të gjithë e dinë se çfarë ka ndodhur" - Ancelotti 'thumbon' Xavin dhe Barcelonën për skandalin Negreira
Trajneri i Real Madridit, Carlo Ancelotti, ka thumbuar homologun e tij te Barcelona, Xavi Hernandez, si dhe vet klubin katalunas, pasi këta të fundit lëshuan komente për ndeshjen kontroverse Real Madrid - Almeria.
Pas shumë vendimeve të diskutueshme të VAR në fitoren 3:2 të Real Madridit kundër Almerias të dielën, Xavi tha për mediat: "Të gjithë e patë se çfarë ndodhi, do të jetë e vështirë të fitosh këtë ligë".

Më vonë gjatë javës, presidenti i Barçës, Joan Laporta bëri një deklaratë shumë më të ashpër pasi gazetari Gerard Romero zbuloi audion e një incidenti në ndeshjen e Almerias, ku gjyqtari shpërfilli një bërryl të Vinicius Junior ndaj një mbrojtësi të Almerias: "La Liga është e falsifikuar dhe VAR-i është marrë peng”. Ancelotti pohoi se ishte një mënyrë për të larguar vëmendjen nga afera Jose Negreira që ka ndjekur Barcelonën gjatë dy viteve të fundit.
Duke folur për mediat për komentet e Laportës, Ancelotti tha: "Këtë javë ata kanë folur shumë. Mendoj njësoj si thashë më parë, nuk më pëlqen të futem në këtë lloj gjëje. Nuk kemi nevojë të shpërqendrohemi nga çështja kyçe. Të gjithë e dinë se çfarë ka ndodhur në 23 vitet e fundit në futbollin spanjoll, këtu është problemi. Liga nuk është e falsifikuar, futbolli spanjoll ka pasur një problem. Tani prokuroria kundër korrupsionit dhe policia po kryejnë hetimin dhe tani duhet të presim. Ne nuk duhet të shpërqendrohemi nga çështja kryesore."

Ancelotti nuk ishte i gatshëm të tregonte mendimet e tij për komentet e Xavi: "Do të preferoja të mos përgjigjem për këtë. Nuk dua të zbuloj mendimet e mia personale për këtë."
Çështja Negreira pati një zhvillim të rëndësishëm javën e kaluar pasi mungesa e provave bëri që gjyqtari Joaquin Aguirre të vendoste të mbyllte çështjen e korrupsionit sportiv. Barcelona më pas është liruar nga një akuzë e madhe, por çështja vazhdon dhe klubi ende mund të akuzohet për kriminalitet financiar.
Mbretërit do të përpiqen të lënë mënjanë çështjet jashtë fushës pasi ata do të përballen me Las Palmas të shtunën, më 27 janar, pasi kërkojnë të rimarrin epërsinë e ligës nga rivalët surprizë për titull, Girona.