Taulant Seferi: E dua Serbinë në grup, do t’i mposhtim 5:0
Sulmuesi Taulant Seferi thotë se preferon që Shqipëria të jetë në të njëjtin grup me Serbinë dhe që t’i ‘demolojnë’ me rezultat 3:0, 4:0 ose 5:0.
Seferi realizoi dygolësh në fitoren e madhe ndaj Republikës Çeke, ku me atë fitore “Kuq e Zinjtë” mund të thuhet se kanë siguruar kualifikimin në Kampionat Evropian.
Në një intervistë për “Koha Shtesë”, Seferi ka treguar se ka dëshirë të përballet me Serbinë brenda grupit.
“Kisha pas qejf që ta kam Serbinë (në grup) edhe ta fitojmë qysh duhet. Me një fitore të pastër: 3-0, 4-0 ose 5-0”.
Ndër të tjera, Seferi deklaroi se e refuzoi edhe shiritin e kapitenit të Maqedonisë së Veriut për të luajtur në fanellën e Shqipërisë, ku ndër të tjera falënderoi edhe tifozët për përkrahjen e madhe.
“Shumica e njerëzve nuk besonin tek unë, por shpresoj që t’ia kam shpërblyer. Unë kam kaluar të gjithë grupmoshat e Maqedonisë, kam pas ftesë edhe nga ekipi A. Që të them të drejtën, ma kanë dhënë edhe mundësinë që të jem kapiten i skuadrës por zemra ime është me Shqipërinë. Nuk kam mundur të veshë një fanellë tjetër për Shqipërisë”.
“I falënderoj nga zemra për përkrahjen, gjithë secilin një nga një që ka qenë në stadium, të gjithë që na kanë shikuar nga televizioni, për dashurinë që na ka dhënë. Me thënë drejtën pa ata tifozë nuk do të ishte atmosferë, e them këstu që Air Albania do të jetë stadiumi më i vështirë për secilën skuadër që vjen”.
Ndërkohë, Shqipëria në muajin nëntor do të zhvillojë edhe dy përballje, ndaj Moldavisë, respektivisht Republikës Çeke.