“Tani synojmë grupet e Ligës së Evropës”, yjet e Ballkanit thyejnë heshtjen pasi mbrojtën titullin kampion - NACIONALE

“Tani synojmë grupet e Ligës së Evropës”, yjet e Ballkanit thyejnë heshtjen pasi mbrojtën titullin kampion

3 vjet më parë

nga Edonis Bytyqi

Ky edicion ka qenë tejet i vështirë për Ballkanin dhe me plot meritë e kanë mbrojtur titullin kampion, kështu deklaruan yjet e skuadrës Armend Thaqi, Meriton Korenica dhe Rustem Hoxha për Gazetën Nacionale.

Ballkani bëri historinë duke u bërë skuadra e parë që mbron titullin pas pranimit në UEFA dhe FIFA, duke e vulosur me fitoren ndaj Ferizajt, derisa Drita kiksoi te Malisheva.

Për të komentuar këtë edicion tejet të vështirë dhe të gjatë, Nacionale ka kontaktuar Thaqin, Korenicën dhe Hoxhën që patën një rol të rëndësishëm për këtë sukses.

Mbrojtësi më i mirë i krahut të djathtë në Kosovë që sa vite deklaroi se ka qenë një vit tejet i vështirë dhe beson se e merituan titullin sidomos pasi fituan në ndeshjen direkte kundër Dritës.

Një sezon që nuk ka ndodhur më herët në futbollin tonë që një ekip t’i zhvillojë mbi 50 ndeshje zyrtare dhe ta mbaj ritmin në nivelin më të lartë dhe të arrij ta mbroj titullin kampion. Një edicion fantastik me shumë ndeshje të mëdha të zhvilluara dhe të fituara nga djemtë kampion të Kosovës”.

Ka qenë një luftë shumë e madhe deri në fund mirëpo ajo fitore në Gjilan kundër Dritës vetëm se e vulosi kush e meritonte dhe kush është kampioni i këtij viti në futbollin tonë. Kemi besuar deri në fund dhe u shpërblyem me atë se çfarë kemi synuar”.

Ai tregon se tani i mbetet skuadrës të zhvillojnë një fazë shumë të mirë përgatitore që ta dëshmojnë veten edhe në Evropë.

Së pari duhet ta bëjmë në fazë shumë të mirë përgatitore që të jemi të gatshëm për Evropë dhe pastaj pse jo ta fillojmë luftën edhe në arenën ndërkombëtare që ta dërgojmë futbollin tonë sa më lartë”.

Në fund Thaqi e pranoi se ka dëshirë për një lëvizje te ndonjë klub të madh evropian.

Unë kam kontratë edhe një vit me Ballkanin dhe nëse Zoti e ka bë kismet që unë të lëvizi diku në Evropë normal që dëshira është shumë e madhe, mirëpo gjithçka ja lëmë kohës pasi çfarë sjellë e ardhmja kurrë nuk i dihet”.

Edhe sulmuesi Meriton Korenica për Nacionalen u shpreh se ka qenë ndër sezonet me të vështira mirëpo mendon se mund ta fitonin kampionatin shumë më herët nëse nuk do të bënin disa gabime, që erdhën si pasojë e ndeshjeve të shumta.

Ka qenë një sezon mjaftë i vështirë dhe shumë i fortë. Më e vështirë është ta mbrosh titullin duke e ditur faktin që të gjitha ekipet luftojnë më fortë që ta mposhtin kampionin, por ia dolëm me sukses që të shpallemi kampion me plot meritë”.

Ne përsëri e kishim synim titullin që nga fillimi. Drita ishte afër deri në fund, por ne kemi mundur ndoshta ta përfundojmë kampionatin më herët por kemi bërë disa gabime ku është shumë normale që t’i ndodh një ekip pas një numri të madh të ndeshjeve që kishim në Evropë dhe kampionat”.

Anësori i djathtë shtoi se tani ka ardhur koha ta bëjnë historinë duke mbërritur në grupet e kompeticionit të dytë më të rëndësishëm në Evropë.

Synimet normale janë si gjithmonë të shkojmë sa më lartë pse jo këtë vit të synojmë grupet e Ligës së Evropës”.

Ai gjithashtu nuk e mohoi interesimin e disa skuadrave gjatë janarit, duke lënë të hapur mundësinë e largimit në verë.

“Me Ballkanin kam kontratë por nuk i dihet, do të vendosim bashkë me klubin për të ardhmen dhe ofertat. Ishin të interesuara disa ekipe gjatë janarit dhe tash do të shohim”.

Përpos tyre, tejet i lumtur që sezoni përfundoi me shpresë u shpreh edhe mbrojtësi Rustem Hoxha. Ai për Nacionalen lavdëroi ekipin e Dritës, por shtoi se Ballkani është më e kompletuar gjë që e dëshmuan me fitore në Gjilan.

"Ka qenë një sezon fantastik me shumë emocione dhe i vështirë, por shyqyr Zotit u mbyll me një festë të madhe dhe një sukses shumë të merituar".

"Ka qenë një garë shumë e fortë me Dritën sepse edhe ata kanë një ekip shumë të mirë dhe cilësorë, por ne jemi me të kompletuar dhe e treguam në ndeshjen direkte që fituam. Nga aty e besonim se do ta fitonim titullin dhe e arritëm".

Tutje, Hoxha nënvizoi se fokusi i Ballkanit duhet të jetë vetëm ndeshje pas ndeshje në mënyrë që ta bëjnë sërish historinë.

"Si fillim duhet ta shijojmë këtë sukses të shkojmë në pushim dhe të relaksohemi sepse ka qenë një sezon i lodhshëm. Synimet janë ndeshje pas ndeshje, të shohim edhe shortin si do të bie por gjithnjë ndeshje më radhë. Shpresoj shumë që ta bëjmë historinë që e kemi bërë edhe vjet, por t'ia lëmë kohës".

Ai shtoi se kanë nisur negociatat me Ballkanin për rinovimin e kontratës që i skadon në verë, mirëpo do të ketë edhe një takim së shpejti ku do të vendoset përfundimisht.

"Më mbaron kontrata tani dhe kam folur me drejtuesit pak, por e kemi lënë që të flasim për vazhdimin e kontratës. Të shohim, jam tejet i kënaqur këtu te Ballkani, më kanë respektuar të gjithë duke nisur nga drejtuesit, tifozët, qytetarët e Suharekës. Të shohim se çfarë do të ndodh".

Ballkani tani ka siguruar daljen në Evropë, ku do të garojë në raundin e parë kualifikues për Ligën e Kampionëve.

Kujtojmë, vitin e kaluar “Xhebrailat” u eliminuan qysh në raundin e parë, duke rënë në raundin e dytë të Ligës së Konferencës e pastaj bënë historinë duke siguruar fazën grupore.

Lajme të ngjashme