Tani e kryer, Casemiro mund të quhet lojtari i ri i Manchester Unitedit
Manchester United ka marrëveshje të plotë me Real Madridin për shërbimet e mesfushorit me tipare defensive, Casemiro.
Braziliani do të nënshkruajë për katër vite me gjigantin anglez me një opsion për të pestin.
Gazetari italian, Fabrizio Romano sapo ka njoftuar se marrëveshja e plotë është arritur pasi Real Madrid pranoi ofertën e Man United për shërbimet e brazilianit.
"Casemiro. E kryer. Manchester United do ta transferojë Casemiron në një marrëveshje nga Real Madrid. Real Madrid ka pranuar ofertën e Man Utd për 60 milionë euro plus 10 milionë euro bonuse, siç u prit".
"Casemiro ka marrëveshje të plotë në anën personale me Manchester Unitedin për katër sezone, me opsion për të pestin. Mesfushori brazilian tashmë i ka thënë lamtumirë të gjithë bashkëlojtarëve derisa do të udhëtojë në Angli që të kryejë testet mjekësore gjatë vikendit".
"Casemiro nuk do të debutojë të hënën në Old Trafford pasi gjërat si viza, testet mjekësore dhe kontrata që do të nënshkruhet do të marr pak kohë", shkroi ai.
Trajneri i Real Madridit, Carlo Ancelotti para disa orëve bëri të ditur se është njoftuar nga Casemiro se dëshiron të largohet dhe dëshira do t’i plotësohet.
"Po, kam biseduar me Casemiron. Ai dëshiron të provojë një sfidë tjetër".
"Duhet t'ia respektojmë dëshirën. Negociatat janë duke vazhduar, por Casemiro ka vendosur të largohet nga Real Madrid", tha tekniku italian.
Kështu, mesfushori brazilian bëhet futbollisti i radhës që largohet nga klubi mbretëror, por nuk pritet të ketë ndonjë zëvendësues pasi Ancelotti u shpreh i kënaqur me skuadrën momentale.
Ndërkohë, Man United vazhdon të punojë në afatin kalimtar veror, ku synon të nënshkruajë edhe me një mbrojtës të krahut të djathtë dhe një sulmues para 1 shtatorit.
Kështu, Casemiro largohet si legjendë e Realit, ku pas tetë sezoneve ka zhvilluar 336 paraqitje në të gjitha garat duke shënuar 31 gola dhe dhuruar 29 asistime.
Përpos kësaj ai fitoi edhe të gjitha trofetë e mundshëm si pesë herë Ligën e Kampionëve, 3 herë Kupën e Botës për klube, 3 herë La Liga-n, 1 herë Kupën e Mbretit, 3 herë Superkupën e UEFA-s dhe 3 herë Superkupën e Spanjës.