Talenti i Barcelonës e ofron vetën te Interi
Sulmuesi i Barcelonës Vitor Roque e ka ofruar vetën te Interi përmes agjentit, por “Neurazzurët” tani duhet të zgjedhin mes brazilianit dhe Albert Gudmundsson.
Kampioni i Italisë pritet të nënshkruajë një sulmues në verë, e kandidati më i fundit është 19-vjeçari, që iu bashkua Barcelonës vetëm në janar.
Braziliani kaloi te Barcelona për 40 milionë euro plus bonuset në afatin e janarit, por minutazha e ulët nën urdhrat e Xavit dhe deklaratat e agjentit kanë ndikuar që t’i hapet dera e largimit pas vetëm gjashtë muajve.
Sipas “Gazzetta dello Sport”, Roque e ka ofruar vetën te përfaqësuesit e Interit, skuadër kjo që ende nuk ka vendosur se çfarë veprime të ndërmarrë.
Roque do t’i bashkohej Interit në formë huazimi, ndërsa Gudmundsson që deri më tani ka qenë prioriteti për skuadrën e Inzaghit është në shitje për 30 milionë euro.
Interi ka vendosur ta shesë Marko Arnautovicin dhe të nënshkruajë me një sulmues të ri, por vendimi final se kush do ta përforcojë skuadrën ende s’është marrë.
Sigurisht, Interi ka marrë Mehdi Taremin nga Porto si agjent i lirë, por nuk është i mjaftueshëm meqenëse edhe Alexis Sanchez do të largohet në verë.