Talenti 18 vjeç e refuzon Arsenalin: S’e kam ndër mend të largohem
Talenti i Real Valladolidit, Ivan Fresneda, duket se e ka hedhur poshtë mundësinë për t’iu bashkuar Arsenalit gjatë afatit kalimtar të janarit, pasi ka thënë se nuk do të largohet nga klubi.
Mbrojtësi anësor, 18 vjeç, është synim i liderit të Premierligës për ta përforcuar skuadrën në përpjekje për ta fituar titullin pas shumë viteve.
Raportohet se ishte arritur një marrëveshje më herët për rreth 15 milionë euro mes dy klubeve.
Në garë për të thuhet të jetë edhe Borussia Dortmundi.
Fresneda, megjithatë, ka lënë të kuptohet se asnjë marrëveshje nuk do të kompletohet gjatë afatit kalimtar dimëror.
“Jo, nuk do të largohem. Qetësohuni”, iu ka thënë 18-vjeçari tifozëve.
Fresneda nuk u thirr nga Valladoli në skuadër për përballjen me Valencian të shtunën, duke i nxitur thashethemet për largimin e tij, por ai nuk duket të ketë dëshirë të largohet.