Sylvinho për humbjen e Shqipërisë: Na mungoi pothuajse gjithçka - NACIONALE

Sylvinho për humbjen e Shqipërisë: Na mungoi pothuajse gjithçka

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Kombëtarja e Shqipërisë pësoi humbje 3:0 ndaj Kilit, duke zhgënjyer me paraqitje në përgjithësi, me trajnerin Sylvinho që ka analizuar ndeshjen, ku tha se iu mungoi pothuajse gjithçka në këtë ndeshje, por se Shqipëria duhet të luftojë gjithmonë sipas tij.

Sot mungoi pothuajse gjithçka. 25 minutat e para nuk bëmë mirë, na mungoi intensiteti. Ne jemi një skuadër që duhet të luftojmë për 90 minuta. Nisëm të luanim pasi pësuam golin, u futëm në lojë. Më erdhi keq për golin e dytë dhe të tretë, duhet të mbeteshim në lojë, si në Varshavë apo Pragë. Duhet të rritemi në aspektin e përqendrimit, duhet të mbetemi në lojë," tha Sylvinho për SuperSport.

Në pyetjen se a ndikoi euforia nga lojtarët, trajneri brazilian tha se nuk ka të bëjë me këtë dhe se ende nuk kanë titullarë fiks.

"Jo, sepse ne nuk kemi titullarë fiks. Ne jemi një skuadër që luajmë me shpirt dhe zemër. Ashtu duhet të vazhdojmë përpara."

Trajneri foli për dy sulmuesit e tij, Rei Manaj dhe Armando Brojën, duke thënë se koha për të cilën luajtën nuk ishte e mjaftueshme dhe se nuk ësht lehtë sipas tij të gjykohet futbollisti për 25 minuta.

"Në Kombëtare koha është e artë. Nuk është e lehtë të gjykosh një futbollist për 25 minuta, madje as për 90 minuta. Por nuk ka rrugë tjetër. Kemi edhe Suedinë, por koha është e pakët në dispozicion."

Sylvinho për kundërshtarin pati fjalë të mira duke thënë se janë skuadër e nivelit të lartë dhe se skuadra e tij duhet të mësohet me këso nivele.

"Ata janë një skuadër e nivelit të lartë. Kanë histori, kanë lojtarë me teknikë dhe agresivitet. Kili ka lojtarë që janë mësuar duke luajtur në Kupa Bote. Shumë prej tyre kanë fituar Kupën e Amerikës. Ne duhet të mësohemi në nivele të larta."

Trajneri nuk e vlerësoi test negativ këtë ndeshje, megjithëse tha se do ta shikojë ndeshjen edhe një herë, ndërsa tha se përgatitjet për Evropian fillojnë kur të kthehen në Tiranë.

"Jo, absolutisht jo! Duhet ta shoh edhe njëherë ndeshjen. E përsëris: nuk është e lehtë të gjykosh një futbollist në një kohë të shkurtër. Kemi një ndeshje të vështirë me Suedinë. Për përgatitjet e Europianit do të nisim të mendojmë pas rikthimit në Tiranë".

Kujtojmë se Kombëtarja e Shqipërisë, më 25 mars, zhvillon miqësoren e radhës kundër Suedisë.

Lajme të ngjashme