Superliga e Kosovës nis javën e 32-të me dy përballje - NACIONALE

Superliga e Kosovës nis javën e 32-të me dy përballje

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Nuk jemi mësuar që të jetë e zakonshme të flitet për zonën e mbijetesës dhe aty të përfshihet edhe Prishtina. Por, kjo është hera e dytë që prej pavarësimit të futbollit kosovar që skuadra më e lavdishme kosovar fut veten në rrezik në një fazë të caktuar kampionatin. Andaj, sot, kur në Superligë nis java e 32-të, edhe Prishtina, njësoj sikur Dukagjini, rrezikon diçka. Në kryeqytet bardhekaltërtit do të përballen ndaj Dukagjinit. Ndërkaq, në sfidën tjetër Ulpiana thuajse e përshendetur nga liga është nikoqire e Gjilanit, i cili do ta luajë ndeshjen e parë pas shkarkimit të Ismet Munishit.

Nëse Prishtina do të lëshonte pikë në ndeshjen e sotme, ose nëse do ta humbiste të gjithë ndeshjen në rastin ekstrem - atëherë seriozisht do t'i kanosej rreziku që të futej në vorbullën e skuadrave që luftojnë për ta shmangur barazhin. Në këtë kontekst, sfida e sotme ndaj Dukagjinit të udhëhequr nga Armend Dallku do të jetë shumë e rëndësishme. Këta të funit vijnë pas një muaji ku kanë shënuar rritje progresive në formë, veçmas pas tri fitoreve rresht ndaj Drenicës në udhëtim dhe Gjilanit e Feronikelit, duke bërë kështu që të dalin nga zona e barazhit tani për tani.

Në tri përballjet direkte të sivjeme mes të dy skuadrave, gjithçka është e barabartë, pasi që të dyja kanë një fitore të shënuar dhe një barazim. Me një fitore të mundshme, Dukagjini do të barazohej me pikë me Prishtinën, kurse nëse ndodhë e kundërta, atëherë kryeqytetasit do të bënin një hap të madh drejt sigurimit të mbijetesës.

Prishtina gjatë muajit prill ka pasur shumë luhatje në ecuri të rezultateve të shënuar, andaj sot do të përpiqet që të mos i lë asgjë rastësisë.

Ndërkaq, në ndeshjen tjetër Ulpiana pret skuadrën e Gjilanit. Në rast të ndonjë rezultati tjetër zhgënjyes për vendasit, atëherë ata do të mund të përshendeteshin nga liga. Fitorja e Gjilanit sot do ta zyrtarizonte skuadrën e dytë që përshëndetet nga Superliga, e që do të ishte pikërisht Ulpiana e udhëhequr nga Fadil Ademi.

Në anën tjetër, mysafirët do ta luajnë ndeshjen e parë pa qenë në krye të stolit Ismet Munishi, i cili u pushua nga puna në fillim të javës. Skuadrën sot do ta drejtojë Alban Hyseni. Gjilani tani nuk e ka luksin të ndihet fare rehat, pasi vetëm dy pikë e ndajnë nga ndjekësi kryesor në tabelë, Llapi.

Në qoftë se Gjilani do të arrinte që ta mbronte pozitën e tretë që të shpie në kualifikimet e Conference League, atëherë do të mund të quhej sezon më se i dështuar për skuadrën gjilanase, marrë parasysh që kanë qenë gjithmonë pjesë e pozita të larta në tabelë përgjatë sezonit të sivjem.

Ulpiana ishte njëra prej skuadrave që bënte futbollin më tërheqës në fazën vjeshtore, duke korrur edhe rezultate befasuese. Mirëpo, gjithçka nisi t'u rrëshqasë nga duart në pjesën pranverore të sezonit, ku nuk gëzojnë fitore tani e dy muaj.

Bilanci i ndeshjeve direkte mes Ulpianës dhe Gjilanit është në të mirë të mysafirëve, pasi gëzojnë dy fitore, por në një rast edhe ulpianasit ia kanë dalur të fitojnë , konkretisht thënë më 9 shtator 2021, kur fiton në stadiumin e Gjilanit me rezultat 2:3.

Për fund kujtojmë që të dy ndeshjet luhen me fillim në ora 15:00.

Lajme të ngjashme