Dy ndeshje në program sot, vëmendja në Prishtinë - NACIONALE

Dy ndeshje në program sot, vëmendja në Prishtinë

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Dy ndeshje luhen sot në Superligën e Kosovës në futboll, në kuadër të xhiros së 27.

Prishtina pret Llapin në përballjen kryesore të ditës, me fillim nga ora 14:00, ndërsa në po të njejtin orar, Ulpiana pret Dritën.

Kryeqytetasit aktualisht pozicionohen në vendin e gjashtë në tabelë me 32 pikë, me plot 14 më pak se vendi i tretë, Drita.

Në anën tjetër, Llapi qëndron shumë më mirë, teksa zë vendin e katërt me 41 pikë.

Prishtina në këtë ndeshje futet pas një humbjeje 2-0 nga Drita, më 20 mars. Në pesë ndeshjet e fundit, djelmoshat e Ibrakovic kanë regjistruar dy fitore, dy humbje dhe një barazim.

Në anën tjetër, Llapi poashtu në këtë takim futet pas një humbjeje befasuese nga Dukagjini, më 19 mars, me rezultat 2-1.

Kujtojmë se pati mosmarrëveshje mes Prishtinës dhe Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK) rreth stadiumit 'Fadil Vokrri'.

Kampionit në fuqi nuk i është liruar stadiumi për zhvillimin e ndeshjeve si vendas në Superligë.

Pritja e madhe nga Prishtina ka ardhur drejt fundit, pasi tani i janë dërguar me letër zyrtare FFK-së që iu konfirmon se ndeshjet si vendas duan t’i luajnë vetëm në “Fadil Vokrri”.

"FC Prishtina ju informon se nuk ka më mundësi as teknike e as financiare të organizojë ndeshje jashtë stadiumit të saj. Kemi qenë mirëkuptues dhe tolerues për një kohë shumë të gjatë në këtë aspekt, tani konsiderojmë që tallja me klub ka arritur kulmin dhe nuk pranohet më tutje."

"Dëmin sportiv dhe financiar që ia keni shkaktuar klubit si pasojë e pamundësisë së shfrytëzimit të stadiumit të saj, veçanërisht në dy muajt e fundit është i papranueshëm."

"FFK ka organizuar 9 ndeshje dhe stërvitje gjatë kësaj periudhe, ndërsa për një arsye që vetëm ju e dini, ndeshja e radhës qenka e pamundur, pikërisht kur duhet të luajë klubi futbollistik, Prishtina."

"Sipas vlerësimit tonë dhe stafit profesional të klubit, një pjesë e të cilëve kanë një jetë të tërë në stadiumin e qytetit, fusha është e gatshme për lojë dhe nuk ka asnjë pengesë për zhvillimin e ndeshjes."

"Ne kuptojmë që disa vendime tuaja mund të jenë të ndikuar nga mosdhënia e votës për kryetarin aktual Agim Ademi, mirëpo ju kujtojmë se FFK-ja duke përfshirë kryetarin e saj nuk është pronare e stadiumit dhe nuk ka të drejtë të dënojë një klub dhe një qytet të tërë për shkak të inateve personale", shkruhet në letrën e klubit të Prishtinës.

Dhe sot, Nacionale ka mësuar se "kismet", ndeshja Prishtina-Llapi, do të luhet në stadiumin që mban emrin e legjendës së futbollit kosovar, lajm i cili pastaj u zyrtarizua.

Në takimin tjetër, Ulpiana pret në Lipjan Dritën, në përballjen që duket test i lehtë për gjilanasit në letër.

Drita ende ka mundësi të bëjë presion për kreun e tabelës, pasi aktualisht zë vendin e tretë me 46 pikë, tetë më pak se lideri, Ballkani.

"Intelektualët" në këtë takim futen pas një fitoreje 2-0 kundër Prishtinës, më 20 mars, ndërsa Ulpiana në ndeshjen e fundit kishte barazuar 2-2 me Feronikelin, më 19 mars.

Lipjanasit aktualisht pozicionohen në vendin e parafundit në tabelë, me 24 pikë, pas 26 ndeshjeve të luajtura.

Kujtojmë se ditën e djeshme u zhvillua një përballje në kuadër të javës së 27 në Superligë, ajo mes Dukagjinit dhe Malishevës, e cila u mbyll me rezultat 0-0.

Erërat e forta dhe terreni i renduar i fushës në stadiumin “18 Qershori” për shkak të reshjeve të mëdha të shiut gjatë mbrëmjes patën ndikimin e tyre në lojën e treguar nga të dy palët.

Në një pjesë të parë goxha të barabartë, skuadra e Arsim Thaqit provoi me goditje nga largësia ta thyejë akullin, por goditjet e Xhevdet Shabanit dhe Behar Maliqit ishin të plogështa për ta mposhtur portierin.

Malisheva - e cila mbetet në pozitën e pestë pas kësaj pike me 34 pikë në përgjithësi, katër më shumë se Dukagjini që është i teti në zonën e play-off për mbijetesë – ishte më e mirë në pjesën e dytë por nuk arriti të krijojë mundësi reale shënimi.

Dukagjini do ta vajtojë mundësinë e artë të Stefan Nikolicit, i cili nuk arriti të shënojë i vetëm përballë portierit. Ahmed Januzi e pati një tjetër mundësi të mirë shënimi.

Thaqi këmbënguli se me pak fat Malisheva e tij ka mundur të kthehej me tri pikë nga Klina.

“Më pak fat kemi mundur ta fitonim ndeshjen. Dëshiroj të vazhdojmë kështu por natyrisht me më shumë fat. Mendoj se gjyqtari është dashur ta ndëshkojë me karton të kuq portierin. Ishte e vështirë të luhej në këto kushte”, tha Thaqi.

Trajneri i Dukagjinit Armend Dallku u shpreh i lumtur me angazhimin e lojtarëve të tij në një fushë të vështirë për të luajtur në Klinë dhe ka shpresa për mbijetesë.

“Patëm mundësi më shumë se kundërshtar. Bëmë të pamundurën për të shënuar gol. Bëmë lojë shumë të mirë. Pjesa e dytë ishte më e vështirë, edhe për shkak të terrenit. Jam i kënaqur me angazhimin dhe dëshirën e lojtarëve. Kampionati është i gjatë dhe gjithçka mund të ndodhë. I patëm mundësitë tona me Nikolic dhe Januzin, puna e trajnerit është ta dërgojë ekipin deri në 16-metërsh”, tha Dallku.

Lajme të ngjashme