Sulmuesi i Man Unitedit Mason Greenwood lirohet nga të gjitha akuzat - NACIONALE

Sulmuesi i Man Unitedit Mason Greenwood lirohet nga të gjitha akuzat

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Prokuroria britanike i ka hedhur poshtë të gjitha akuzat ndaj sulmuesit të Manchester Unitedit, Mason Greenwood, të enjten.

Greenwood, 21 vjeç, akuzohej se kishte tentuar ta përdhunonte, sulmonte dhe ta mbante nën kontroll detyrimisht një grua.

Hetimet ndaj sulmuesit anglez kishin nisur një vit më parë, në janar 2022, dhe ishte caktuar fillimi i gjykimit të tij më 27 nëntor të këtij viti.

Prokuroria Britanike tha se nuk ka më shanse reale për dënim, pasi dëshmitarë kyçë ishin tërhequr nga bashkëpunimi me hetuesit.

Greenwood ishte arrestuar dhe pastaj ndaj tij ishte ngritur aktakuzë për tentim-përdhunim, sulm dhe kontroll ndaj një gruaje në janar 2022.

21-vjeçari, i cili ka luajtur për Anglinë dikur, i kishte mohuar të gjitha akuzat dhe po përgatitej për të dalë në gjykim në fund të këtij viti, para se prokuroria ta hidhte poshtë rastin kundër tij të enjten.

“Procedura penale kundër një burri 21-vjeçar në lidhje me një hetim të nisur në janar 2022 është anuluar nga sot prej prokurorisë”, njoftoi Policia e Mançesterit.

Manchester Unitedi nuk ka dashur ta komentojë lirimin e Greenwood nga akuzat.

Greenwood vijon të jetë lojtar i pezulluar nga Unitedi deri në kohë të papërcaktuar.

Në janar 2022, Unitedi pati njoftuar se Greenwood nuk do të mundë të rikthehej në stërvitje apo të luajë për klubin deri në një njoftim të radhës.

Lajme të ngjashme