Stadium ëndrrash për Ballkanin: I pari i Komunës së Suharekës prezanton projektin për shtëpinë e re të Kampionit të Kosovës
Ditë më parë, Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit Hajrulla Çeku, tregoi se Komuna do të duhet të ketë gati projektin dhe lokacionin gati në mënyrë që dikasteri i tij të fillojë me punët për investim në stadiume dhe kësaj kërkese i është përgjigjur shumë shpejt Bali Muharremaj, kryetari i Komunës së Suharekës.
Kryetari i Komunës pak minuta më parë në një postim në rrjetet sociale prezantoi një projekt ideor se si do të duhej të duket stadiumi i ri në Suharekë si dhe njoftoi se lokacioni është i ndarë me sipërfaqen aq sa kërkohet.

Muharremaj kërkon tani nga zyrtarët e Ministrisë që të vazhdohet me procedurat, pasi ajo që është kërkuar nga ai është plotësuar.
Statusi i plotë i Kryetarit të Komunës së Suharekës, Bali Muharremajt
Ne jemi gati me detyrat tona si komunë për Stadionin. ✅🙏🧡🖤⚽️
Sipas asaj që u deklarua në fundmi nga Ministri i Kulturës Rinisë dhe Sportit z.Çeku, se komuna duhet ta ketë projektin dhe lokacionin, siq theksuam edhe para disa ditëve ne u angazhuam seriozisht.
Ekziston lokacioni si parcelë katastrale, në sipërfaqen 16 hektar, ku është i miratuar në PZHK dhe HZK.
Poashtu e kemi edhe projektin ideor të stadiumit të qytetit - kategoria 4 me kapacitet rreth 17 mijë ulëse.
Ne i mirëpresim zyrtarët nga ministria në fjalë për të vazhduar me procedurat tjera. 🗂
Natyrisht sonte presim fitoren e klubit “ FC Ballkani”, ku bashkë besoj se do të festojmë në Sheshin e Qytetit.
Bali Muharremaj
Kujtojmë se FC Ballkani sot nis aventurën në grupet e Ligës së Konferencës, ku do të luajë si mysafirë ndaj Viktoria Plzen me fillim nga ora 21:00. Kampioni i Kosovës mbetet skuadra e vetme shqiptare në grupet e garave evropiane në dy sezonet e fundit.
