Spanja vazhdon të refuzojë t’i drejtohet Kosovës në emër, e quan federatë
Federata e Hendbollit e Spanjës (RFEMB), njëlloj sikur ajo e futbollit dikur, nuk i është drejtuar ekipit kombëtar të Kosovës në hendboll vetëm si Kosovë, por si “Federata e Futbollit e Kosovës”, në përpjekje për ta mohuar Kosovën si shtet të pavarur.
Kombëtarja e vajzave e Kosovës në hendboll për të reja do të përballet me kombëtaren e Spanjës sot pasdite, në një ndeshje grupore në Kampionatin Mesdhetar të Hendbollit 2023.
Kosova është në një grup me Spanjën, Italinë, Kroacinë dhe Malin e Zi.
Dhe Spanja nuk ka dashur t’i drejtohet vetëm si Kosovë asaj në njoftimin për ndeshjen me dardanet në rrjetet sociale dhe në uebsajtin zyrtar të RFEMB-së, duke e quajtur “Federata e Hendbollit e Kosovës”.

🔥 ¡Las #GuerrerasJuveniles🇪🇸 inician esta tarde su participación en el Campeonato Mediterráneo 2023!
— RFEBalonmano (@RFEBalonmano) February 27, 2023
🆚 A las 15:00 h., debut ante Federación de Balonmano de Kosovo
📲 Sigue todo el torneo en directo en https://t.co/FnIoJhSosN
📝👇 Descubre en la noticia toda la información
Spanja nuk e njeh pavarësinë e Kosovës dhe është njëra prej kundërshtarëve të saj më të zëshëm, për shkak të telasheve që ka me Katalonjën, rajonin e vet verilindor që kërkon të pavarësohet.
Dhe kjo nuk është hera e parë që federatat sportive në Spanjë bëjnë përpjekje të mëdha për ta shmangur emrin e Kosovës.
Federata e Futbollit e Spanjës kishte shkaktuar shumë polemika dhe zemërim në Kosovë kur i ishte drejtuar asaj si “territor” në njoftimin e parë për takimin e Spanjës me Kosovën në Grupin B kualifikues për Kupën e Botës 2022 në vitin 2021.
Edhe atëherë, spanjollët i ishin drejtuar Kosovës si “Federata e Futbollit e Kosovës”, apo edhe më keq si “territor”.
Televizioni Publik i Spanjës, TVE, e kishte shkruar shkurtesën e Kosovës me shkronja të vogla “kos” në përpjekje për t’ia ulur rëndësinë sa më shumë.

Në fund të vitit të kaluar, qeveria spanjolle nuk ua lëshoi vizat boksierëve kosovarë për të marrë pjesë në një turne boksi në këtë vend.
Dy boksierë Taulant Jakupi dhe Donat Syra, si dhe përzgjedhësi Besim Brahimi dhe gjyqtari ndërkombëtar Latif Demolli nuk arritën dot të pajisen me viza, pasi Ambasada e Spanjës në Maqedoninë e Veriut ua hodhi poshtë atyre kërkesën që kishin bërë në fund të vitit të kaluar.
