Spanja shënon fitore të lehtë ndaj Qipros, vendi i parë në grupin A pothuajse i siguruar - NACIONALE

Spanja shënon fitore të lehtë ndaj Qipros, vendi i parë në grupin A pothuajse i siguruar

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Kombëtarja e Spanjës ka shënuar fitore të lehtë në udhëtim ndaj Qipros, me rezultat 3:1, kështu për të bërë një hap të madh drejt sigurimit të vendit të parë në Grupin A kualifikues për EURO 2024, duke pasur parasysh që Skocia barazoi me Gjeorgjinë në ndeshjen tjetër të grupit.

Para ndeshjeve të sotme, Spanja dhe Skocia kishin siguruar një vend në EURO 2024, por ndeshjet e fundit ishin në garë për vendin e parë mes këtyre dy skuadrave, që kishin pikë të barabarta.

Nata e sotme qartësoi shumë gjëra. Spanjës tani i nevojitet të paktën një barazim në ndeshjen e fundit ndaj Gjeorgjisë, me kushtin që Skocia mos të fitojë me rezultat të thellë prej tetë golave ndaj Norvegjisë.

Rikthehemi te ndeshjet e sotme. Kombëtarja e Spanjës zhvilloi një futboll dominues ndaj Qipros sot, duke pasur poosedim të topit në 78 % të kohës, por raste për shënim të golave kishte shumë pak në krahasim se si rrodhi ndeshja.

Të drejtuarit e Luis De La Funte, shënuan tre gola në pjesën e parë, por asnjë në të dytën, me vetëm Qipron që gjeti golin ngushëllyes në 45 minutat e dyta.

Ishte talenti i jashtëzakonshëm i Barcelonës, Lamine Yamal, që hapi serinë e golave në minutën e pestë me një gol të bukur për 1:0.

Në minutën e 22-të Mikel Oyarzabal gjeti rrjetën për 2:0, pasi u asistua nga lojtari në formë Alex Grimaldo.

Golin për 3:0 në minutën e 28-të e shënoi sulmuesi i Real Madridit, Joselu, ndërsa në rolin e asistuesit kësaj radhe ishte Oyarzabal.

Kaq nga Spanja, ndërsa për Qipron golin e vetëm e shënoi Kostas Pileas në minutën e 75-të, për rezultatin përfundimtar 3:1.

Në ndeshjen tjetër të grupit, Skocia arriti që krejtësisht në fund të barazonte me Gjeorgjinë 2:2.

Ylli i Napolit Kvaratskhelia shënoi dy gola (15’ dhe 57’), ndërsa për Skocinë shënoi mesfushori i Manchester United Mctominay dhe Shankland.

Lajme të ngjashme