Spanja befasohet nga Skocia, Kroacia e mposhtë Turqinë
Sot janë zhvilluar edhe takimet e fundit të marsit në arenën ndërkombëtare sa i përket kualifikimeve për Euro 2024, ku Spanja u befasua nga Skocia me rezultat 2:0 në grupin A, e me rezultat të njëjtë Kroacia e mposhti Turqinë në grupin D.
Spanja hyri në këtë ndeshje pas fitores 3:0 ndaj Norvegjisë, por kjo ndeshje nuk i doli ashtu siç priti, pasi Skocia e arriti edhe fitoren e dytë pas asaj ndaj Qipros, teksa në ndeshjen tjetër të këtij grupi mes Gjeorgjisë dhe Norvegjisë nuk kishte fitues.
Ndërsa në grupin D, Kroacia ashtu siç pritej shënoi fitore solide 2:0 ndaj Turqisë, e Uellsi me rezultat minimal 1:0 e mposhti Letoninë.
Skocia – Spanja
Ndonëse Furia e Kuqe e dominoi ndeshjen me posedim të topit prej 75%, ata nuk arritën të konkretizonin asnjërin nga rastet, ndonëse ishin shumë të pakta nga dy skuadrat.
Skocia u tregua shumë konkrete para golit, ku në tre raste në drejtim të portës, dy i shënoi për ta fituar ndeshjen.
Ishte ylli i Manchester United, Scott McTominay, që shënoi dy golat e takimit. Fillimisht shënoi në minutën e shtatë, e pastaj në të 51-tën për rezultatin përfundimtar 2:0.
Spanja tani gjendet në pozitën e dytë, ndërsa Skocia e para.

Turqi – Kroaci
Pas barazimit në frymën e fundit ndaj Uellsit në takimin e parë, Kroacia nuk ka lejuar befasi në ndeshjen e dytë, duke mposhtur Turqinë me rezultat 2:0.
Ishin 90 minuta tejet të balancuar, me dy skuadrat që krijonin raste për shënim, por kroatët ishin më konkret duke mos lejuar befasinë e radhës.
Ylli i Chelseat, Mateo Kovacic, shënoi dy gola për fitoren e parë në grupin D. Dy golat u shënuan në pjesën e parë, fillimisht në minutën e 20-të e pastaj në minutat shtesë, për t’ia dhuruar kombit të tij fitoren e madhe.
Me këtë fitore, Kroacia dhe Uellsi ndajnë dy pozitat e para me katër pikë të grumbulluara nga dy ndeshje të zhvilluara, ndërsa Turqia mbetet me vetëm një fitore të xhiros së parë.
