Spalletti: Jam i lumtur për progresin e bërë nga Rrahmani - NACIONALE

Spalletti: Jam i lumtur për progresin e bërë nga Rrahmani

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Luciano Spalletti ka folur në konferencë për shtyp në vigjilje të ndeshjes kundër Spezias, duke përgëzuar edhe një herë Amir Rrahmanin për formën që po kalon.

Kapiteni i Kombëtares së Kosovës, Amir Rrahmani, të mërkurën bëri debutimin e tij në Ligën e Kampionëve kundër Liverpoolit, në fitoren meritore që Napoli e arriti me rezultat bindës 4:1.

Ai spikati me paraqitje shumë të mirë, ku mori vëmendjen si të shtypit italian, ashtu edhe të vetë Spallettit pas mbarimit të ndeshjes.

Në prag të zhvillimit të ndeshjes së nesërme kundër Spezias, Spalletti ka folur sërish për dyshen e qendërmbrojtjes, Rrahmanin – Kim.

Fjalët e Spallettit për Rrahmanin

Luciano Spallettit i janë parashtruar një seri pyetjesh nga gazetarët që ishin të pranishëm në konferencë për shtyp gjatë pasditës së sotme, ku nuk munguan edhe pyetjet rreth tandemit qendërmbrojtës.

“Jam i lumtur me progresin e bërë si nga Rrahmani, ashtu edhe nga Kim. Në fund të ndeshjes (kundër Liverpoolit) kanë aplikuar edhe mbrojtje një kundër një. Pastaj duhet thënë se nuk kufizohen vetëm në fazën mbrojtëse, por mundohen që t’i japin një drejtim nisjes së aksioneve”, theksoi Spalletti.

Interpretimi i lojës që po bën Rrahmani në bashkëpunim me mbrojtësin Kim, është ajo që i pëlqen edhe trajnerit italian.

“Si luajnë ata (Rrahmani dhe Kim) është një ndihmë për lojtarët tjerë, pasi u shërbejnë topa të pastër. Kjo është zgjidhja e gjithçkaje. Nëse aplikon mirë lojën nga fillimi i fushës, pastaj bëhet më e lehtë për repartet tjera. Edhe kur ka shumë hapësirë të madhe janë të denjë të luajnë me topin në pronësi”, tha ai.

Napoli do të vuajë mungesën e sulmuesit Osimhen, i cili pësoi një lëndim në ndeshjen e mesjavës kundër Liverpool, me ç’rast pritet të qëndojë afro tre javë jashtë fushës së blertë.

Edhe pse pritet të aplikohet paksa rotacion në formacion për ndeshjen e nesërme, mbrojtësi kosovar, Amir Rrahmani, pritet të luajë sërish nga minuta e parë, për t’i dhënë ekuilibrin dhe stabilitetin e duhur fazës mbrojtëse.

Rrahmani deri më tani është përshtatur mjaft mirë me Kim. Madje, pas fitores së fundit kundër skuadrës së Klopp, vetë ai deklaroi se bashkëlojtari i ri në tandemin qendërmbrojtës ka të njëjtat tipare me Koulibalyn dhe se nuk po ndihet shumë mungesa e gjigantit senegalez.

Rrahmani me Napolin ka edhe dy vite kontratë të vlefshme, ndërsa në javët në vazhdim pritet që të vijë drita jeshile për rinovimin e kontratës, ngase të gjithë në klub janë të kënaqur me paraqitjet e tij.

Lajme të ngjashme