Arsenal me mund fiton një pikë ndaj Southamptonit
Arsenal me shumë mund ka arritur ta fitojë një pikë në shtëpi ndaj Southamptonit, në kuadër të xhiros së 32-të në Premierligë.
Kur mendohej se "Topçinjtë" do të këndelleshin pas dy barazimeve radhazi, Southampton arriti ta ndalë me një barazim 3:3, edhe pse mund t'i arkëtonin pikët e plota pasi ishin në avantazh prej 1:3 deri vonë.
Pas vetëm 29 sekondave lojë, Aaron Ramsadale bëri një gafë duke ia pasuar topin Carlos Jonas Alcarez, që shënoi nga afërsia dhe pastaj festoi me stilin e Cristiano Ronaldos.
Arsenal u mundua të këndellej duke krijuar disa aksione, por sërish mysafirët ishin më të saktë. E tëra nisi me një kundërzbritje, ku Jonas Alcaraz gjeti të harruar Theo Walcott, që shënoi nga afërsia për të ndëshkuar ish skuadrën (14').
Vetëm gjashtë minuta më vonë, vendasit ngushtuan epërsinë me anë të Gabriel Martinellit, që realizoi vollej pas një harkimi të Bukayo Sakas (20').
Arsenal mori dominimin e lojës edhe në pjesën e dytë, mirëpo sërish Southampton gjeti rrugën drejtë rrjetës.
Ishte Duje Caleta-Car që riktheu epërsinë e dyfishtë duke shënuar me kokë pas një pasimi të Armel Bella-Kotchap (66').
Sidoqoftë, djemtë e Mikel Artetas assesi nuk pranuan dorëzimin duke ngushtuar fillimisht epërsinë me anë të Martin Odegaard. Norvegjezi shënoi një gol të bukur nga distanca me një goditje fantastike duke e lënë të shtangur portierin mysafir (88').
Kurse vetëm dy minuta më vonë, Bukayo Saka përfitoi nga një top i kthyer duke realizuar nga afërsia për të barazuar rezultatin (90').
Arsenal insistoi deri në fund që të vuloste fitoren duke goditur dy herë edhe shtyllën, por nuk ia dolën.
Pas këtij barazimi, Arsenal mbetet lider me 75 pikë por që ka dy ndeshje më shumë të zhvilluara se Manchester City, derisa Southampton tani renditet në pozitën e fundit me 24 sosh.
Në mesjavë, Arsenal do ta zhvillojë përballjen e vështirë ndaj Man Cityt në "Etihad".