Sot përfundon sezoni i rregullt në basketboll, Trepça përballet me Yllin - NACIONALE

Sot përfundon sezoni i rregullt në basketboll, Trepça përballet me Yllin

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Sot do të zhvillohet edhe ndeshja e fundit e këtij sezoni të rregullt të Superligës së Basketbollit, ku do të takohen lideri Trepça dhe Ylli, ndeshje kjo që nuk do të ndikojë fare në renditjen përfundimtare.

Me fitoren e djeshme të Pejës ndaj Bashkimit, tashmë gjithçka ka përfunduar dhe se dihen skuadrat gjysmëfinaliste dhe ato që do të përballen në çerekfinale, pavarësisht rezultatit të sotëm.

Përballja sot në Palestrën 13 qershori në Suharekë mund të quhet vetëm ndeshje për prestigj, pasi Trepça tashmë ka siguruar vendin e parë, por që normalisht do të tentojë ta mbyll sezonin me vetëm një humbje, që kishte pësuar në javën e shtatë pikërisht nga Ylli.

Siç edhe dihet, KB Istogu, do të largohet nga elita e basketbollit kosovar, pasi përfundoi e fundit në renditje me vetëm një fitore, ndërsa Prizreni do të luajë me New Basket të Ligës së Parë se kush do të qëndrojë në Superligë.

Bashkimi, Vëllaznimi, Prishtina dhe Ylli janë kualifikuar për në çerekfinale nga pozitat 6, 5, 4 dhe 3 respektivisht.

Ylli do të përballet me Bashkimin, ndërsa Prishtina luan ndaj Vëllaznimit, për ty pozitat që çojnë në gjysmëfinale, ku presin Trepça dhe Peja si dy vendet e para nga sezoni i rregullt.

Çerekfinalet do të zhvillohen më 7 prill.

Lajme të ngjashme