Sot përballja miqësore Zvicër – Kosovë që jo për të gjithë në Kosovë është miqësore - NACIONALE

Sot përballja miqësore Zvicër – Kosovë që jo për të gjithë në Kosovë është miqësore

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Kosova do të përballet sot me Zvicrën në një ndeshje miqësore, e cila nga zviceranët po cilësohet si diçka më shumë; vëllazërore. Por jo të gjithë në Kosovë e shohim si miqësor ballafaqimin e kësaj të marte pasdite.

Kombëtarja e Kosovës do të përballet me Zvicrën për herë të parë në historinë e vet gjashtëvjeçare sonte në orën 18:00, në stadiumin Letzigrund në Zurich.

Do të jetë takimi i dytë në stolin e Kosovës për trajnerin Alain Giresse, i cili debutoi me fitore mbresëlënëse 5:0 kundër Burkina Fasos në një miqësore të enjten në Prishtinë.

Por vëmendja e ndeshjeve të Kosovës këtë muaj gjithmonë ka qenë në përballjen me Zvicrën, një vend i cili është akuzuar nga kosovarët se kishte lobuar kundër pranimit të Kosovës në UEFA dhe FIFA dhe që prej atëherë ka luftuar për t’ia marrë futbollistët me rrënjë kosovare.

Zvicra gjithmonë i ka mohuar akuzat dhe madje mediat e këtij vendi e kanë cilësuar si ndeshje vëllazërore takimin me Kosovën.

I tillë ka qenë raportimi i njërës prej gazetave më të mëdha zvicerane Blick, e cila bile flamujt e Zvicrës dhe Kosovës i ka ngjyrosur me ngjyrat e njëra-tjetrës.

Megjithatë, jo të gjithë në Kosovë e shohin këtë ndeshje si vëllazërore, duke nisur nga grupi i tifozëve zyrtarë të ekipit kombëtar verdhekaltër “Dardanët” e tek të tjerët.

“Dardanët” kanë qenë të ashpër në një reagim në Facebook një ditë para ndeshjes, duke theksuar: “Nuk kemi pse të tregojmë asnjë lloj respekti të veçantë për lojtarët zviceranë. Lojtarët që e ndjejnë veten njëmend shtetas kosovarë, do të luajnë me fanellën e Kosovës dhe këtu përfundon diskutimi.”

Është e qartë se mesazhi i “Dardanëve” i referohej lojtarëve me rrënjë kosovare që luajnë për Zvicrën, si Granit Xhaka, Xherdan Shaqiri dhe Andi Zeqiri.

Jo vetëm “Dardanët” por edhe një pjesë e komunitetit sportiv dhe tifozëve të tjerë në Kosovë kanë shprehur pakënaqësitë e tyre në rrjetet sociale me Zvicrën dhe lojtarët me rrënjë kosovare, duke bërë thirrje për mirëpritje të vrazhdët ndaj tyre.

Fakti që Zvicra ka luftuar për t’ia marrë Kosovës lojtarët kosovarë të rritur në vendin helvetik është i pamohueshëm qëkur Kosova u pranua në UEFA dhe FIFA më 2016.

Xhaka dhe Shaqiri e kishin mundësinë për t’iu bashkuar Kosovës menjëherë pasi jo u pranua, por zgjodhën të vazhdojnë me Zvicrën duke u paraqitur në Kampionatin Evropian 2016.

Zeqiri është shembulli më i mirë sesi Zvicra mund t’ia marrë nga dora një futbollit Kosovës. Sulmuesi 22-vjeçar i Brightonit në Premierligë, i huazuar në Augsburg, i kishte thënë po Kosovës dhe madje ishte fotografuar me fanellën e saj pranë presidentit të Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, para se të bindej nga Zvicra për t’i përfaqësuar helvetikët.

Padyshim, Zeqirit, Xhakës dhe Shaqirit nuk do t’iu pëlqejë pritja që do ta marrin në stadiumin e vet sonte.

Lajme të ngjashme