Sonte rimeçi Joshua - Usyk për titujt e botës në kategorinë e rëndë
Boksieri britanik, Anthony Joshua, sonte përballet me kampionin në fuqi Oleksandr Usyk, për titullin kampion të peshave të rënda, në një ndeshje që duhet të fitohet me patjetër nga anglezi ose ndryshe humbet shanset për ty kthyer tituj në pronësi.
Rimeçi i madh do të zhvillohet ne Jeddah të Arabisë Saudite, teksa në lojë janë tre tituj, WBA(super), WBO dhe IBF.
Në shtator të vitit të kaluar ishte zhvilluar meçi i parë ndërmjet të dyve dhe fitues me vendim unanim kishte dalë ukrainasi, ndërsa një humbje tjetër për Joshuan do të ishte një goditje e madhe për reputacionin e tij.

Në anën tjetër, mbrojtja e titujve aktual nga Usyk do të thoshte se ai lirshëm mund të ndiqte edhe titullin WBC, të cilin e mban Tyson Fury, me ç’ rast do të bëhej kampion i padiskutueshëm i peshave të rënda.
Matjet zyrtare: Joshua më i rëndë se Usyk
Ndonëse gjatë gjithë kohës aludohej se boksieri ukrainas kishte shtuar shumë në peshë dhe po stërvitej fort për një ndeshje akoma më të fortë se ajo e para, realisht ai doli me peshë ngjashëm me herën e kaluar me një dallim shumë të vogël, në më pak se një kilogram.

Teksa në kampin tjetër, Joshua kishte shtuar dy kilogram nga përballja e fundit e këtyre dyve.
Usyk dje në matjet zyrtare doli të jetë 100.5 kilogram e një vit më parë kishte 99,79 kilogram, ndërsa 32-vjeçari doli gati 11 kilogram më i rëndë se rivali i tij, pra 110.9 kilogram.
Të dy folën pas matjeve zyrtare, një anë Joshua me një fytyrë të përqendruar, në anën tjetër Usyk u tregua kritik me ata që raportonin për peshën e tij gjatë gjithë kohës.
"Të gjitha këto gjëra - pesha, ballafaqimi - asnjëra prej tyre nuk ka rëndësi për mua. Unë jam duke pritur me padurim për luftën," tha boksieri britanik.

Usyk është i destinuar të jetë një Hall-of-Famer i ardhshëm i peshave të rënda, por ka ende kritikë që mendojnë se ai nuk është një peshë e rëndë natyrore dhe shumë i vogël për kategorinë ku ndeshet, pasi që ka konkurruar vetëm tre herë për peshat e rënda deri më tani.
Spekulimet mbi peshën e 35-vjeçarit kishin qenë të përhapura gjatë gjithë javës së luftimit, me ish-kampionin e botës, Amir Khan - i cili vizitoi Usyk në Dubai në fillim të këtij muaji - duke sugjeruar se ai mund të ketë shtuar deri në 30 kilogramë që nga lufta e fundit.
"E shihni, pritjet tuaja jo çdo herë përmbushen," tha Usyk.
/cdn.vox-cdn.com/uploads/chorus_image/image/71260807/1415780744.0.jpg)
Joshua shpreson në hakmarrje
Anthony Joshua, tani 32-vjeçar, mund te ketë mundësinë e fundit për të kthyer në pronësi titujt e humbur. Dy herë kampioni i pesha të rënda nëse sërish humbë ndaj 35-vjeçarit, lehtësisht mund të pensionohet, të paktën kështu është raportuar nga mediumet më të mëdha.

Në një intervistë dy muaj më parë, boksieri britanik, tha se ai është mbreti i rikthimeve.
“Ju e dini storjen time, e dini se jam mbreti i rikthimeve. Mund të mundoheni të më ulni poshtë, por është e vështirë ta bëni këtë”, kishte thënë ai.
Në fakt, Joshua ka bërë një rikthim në karrierë dhe kjo kishte ndodhur gati tre vite më parë.
Në meçin e parë ndaj Andi Ruiz Jr. të zhvilluar më 1 qershor të vitit 2019 kishte humbur me KO teknik, duke humbur të gjithë titujt, ndërsa vetëm gjashtë muaj më vonë, më 7 dhjetor i riktheu titujt në pronësi pas një meçi me 12 runde, me vendim unanim të gjyqtarëve.
Ndaj Usyk ishte vetëm humbja e dytë në karrierë, dhe nëse edhe kësaj radhe rikthen titujt, epiteti si mbreti i rikthimeve mund të kishte vend.
Joshua deri më tani ka zhvilluar 26 meçe, ku 24 nga to i ka fituar, në anën tjetër boksieri ukrainas nuk di për humbje në 19 ndeshjet e tij të zhvilluara, por çka vlen të cekët është se ky i fundit shumë vonë është inkuadruar në kategorinë e peshave të rënda pasi më parë ishte i radhitur në kategorinë super të mesme.