S’ndalet Potter, planifikon afrimin e David gjatë janarit
Chelsea është e interesuar për të nënshkruar me yllin e Lilles, Jonathan David.
Sulmuesi nga Kanadaja është duke shkëlqyer te Lille që kur iu bashkua nga Gent në vitin 2020, duke shënuar 41 gola në 107 paraqitje.
David gjithashtu pritet të jetë lojtari kyç edhe për kombëtaren e Kanadasë muajin tjetër, ku do të marrin pjesë për herë të parë që nga viti 1986.
Sipas mediumit francez "Jeunes Footeux", skuadra e drejtuar nga Graham Potter është duke planifikuar të bëjë një lëvizje për lojtarin gjatë afatit të janarit.
Chelsea nën urdhrat e Potter është e pamposhtur në gjashtë ndeshje dhe skuadra angleze është ngritur në pozitën e katërt në Premierligë.
David shihet nga "Blutë" si alternativë e Pierre-Emerick Aubameyang, me Lille që e vlerëson lojtarin rreth 38-46 milionë funte.
Pavarësisht nisjes së edicionit në mënyrën me të mirë, ylli nga Gaboni ka shënuar vetëm tre herë në gjashtë paraqitje.
Ai iu bashkua klubit londinez nga Barcelona në afatin kalimtar veror, por në moshën 33-vjecare nuk shihet si opsion afatgjatë për Potter.

Paraqitja zhgënjyese në fitoren e Chelseas 2:0 ndaj Aston Villas gjithashtu thuhet se ka ndikuar që klubi të shtojë interesimin për David.
David është në formë të shkëlqyeshme këtë edicion në kampionatin francez, duke gjetur nëntë herë rrjetën dhe dhuruar dy asistime në 11 paraqitje.
Kanadezi momentalisht është golashënuesi më i mirë në Ligue 1, duke pasur gola sa ylli i PSG-së, Neymar dhe një më shumë se Kylian Mbappe.
Ai gjithashtu ka shënuar 20 gola në 30 paraqitje për shtetin e tij dhe kontrata me Lillen i skadon në vitin 2025.
Në të kaluarën, David ishte i lidhur me kalimin te Arsenal, me "Topçinjtë" që edhe u takuan me agjentin e lojtarit, por në fund Mikel Arteta zgjodhi të nënshkruajë me Gabriel Jesus.
Chelsea më gjasë do të rivalizohet nga Arsenali për David, me sulmuesin që në të kaluarën ka pranuar se admiron Thierry Henryn dhe që e ka shikuar rregullisht skuadrën e Arsene Wengerit në vitet e 2000-ta.
Ndërkohë, Chelsea rikthehet në aksion ditën e mërkurë, ku do të përballen me Brentfordin në kërkim të fitores së pestë radhazi në Premierligë.