SKANDALOZE: KH Trepça e largoi Behar Terziqin nga skuadra edhe pse i ka borxh që nga muaji gusht, i thanë se nuk i duhesh më skuadrës
Trajtimi skandaloz i lojtarëve në Kosovë në të gjitha sportet po vazhdon, ndonëse Ligji për Sponsorizim është një lehtësim për klubet. Kjo së fundmi ka ndodhur me klubin e hendbollit KH Trepça, e cila nuk po arrin t'i paguajë lojtarët që nga fillimi i sezonit, madje kjo nuk iu mjaftoi atyre, ku edhe përjashtuan portierin Behar Terziqi nga skuadra, pasi ky i fundit nuk pranoi të luante deri në pagesën e borxhit.
Kjo gjendje aktuale me shumë borxhe e KH Trepçës nuk është risi, pasi ky klub vuajti njëjtë edhe në sezonin e kaluar, ndonëse arritën të shpalleshin kampion në Kupë të Kosovës.

Terziqi për Nacionalen tha se gjendja e keqe financiare ka qenë e pranishme që nga fillimi i sezonit, duke përfshirë fazën përgaditore, por që lojtarën u bindën të luanin pasi atyre iu ishte premtuar se buxheti ekziston, pasi kishin fituar Kupën e Kosovës.
"Borxhi ka qenë i pranishëm që nga fillimi i sezonit, duke përfshirë fazën përgatitore. Drejtuesit na thanë se nuk do të kemi probleme me paga si në sezonin e kaluar, pasi kemi fituar Kupën e Kosovës. Sezonin e kaluar kishim problemin e njëjtë, por për fat të mirë pas mbarimit të sezonit, borxhet na u shlyen, por kjo nuk erdhi nga klubi por nga buxheti i Komunës së Mitrovicës."
Që nga fillimi i sezonit, klubi iu premtoi lojtarëve në tri periudha të ndryshme që do t'i paguanin ata, por asnjëherë nuk qëndruan pas fjalëve të tyre, me gjendjen që vazhdon të jetë akoma.

"Klubi na ka premtuar që tri herë nga fillimi i sezonit për shlyerjen e borxhit, por ata nuk i kanë mbajtur premtimet e dhëna, ose më mirë të them se nuk kanë qëndruar pas fjalëve që na i kanë thënë vazhdimisht," vazhdoi Behar Terziqi në prononcimin për Nacionale.
Terziqi pohon se kanë mbajtur një mbledhje me drejtuesit për të parë gjendjen e klubit, ku lojtarëve i është kërkuar të presin deri në muajin mars, por portieri mitrovicas në mbledhje iu kishte thënë se do ta mendojë dhe do të informojë klubin për vendimin e tij.
"Nuk kemi vendosur bashkërisht të presim deri në mars. Unë për vete i kam thënë drejtuesve se do ta mendoj edhe njëherë se a do të vazhdoj dhe do t'ju informoj".
U tha se Behar Terziqi nuk është më pjesë e skuadrës pasi vendosi të largohej, por kjo sipas tij nuk është e vërtetë, pasi klubi i tha se nuk i nevojitet skuadrës pas muajit mars, ku të njëjtit i kanë thënë lojtarit se kanë gjetur transferime pa para.

"Nuk është e vërtetë se jam larguar nga klubi. Unë kam bojkotuar, pasi bojkoti është në të drejtën time. Unë i kam thënë kryesisë se kur borxhi të paguhet jam i gatshëm të kthehem t'i mbroj ngjyrat e klubit, por kjo nuk iu pëlqeu atyre dhe më larguan. Në fund të bisedës me kryetarin i tregova edhe njëherë se jam i gatshëm të kthehem në stërvitje kur pagesat të bëhen, por më tha se pas muajit mars nuk na duhesh, pasi kemi transferuar lojtarë pa para, dhe kështu jam larguar nga klubi jo me dëshirën time."
Behar Terziqi, 25-vjeçar, është paraqitur për KH Trepçën vazhdimisht për disa sezone në pozitën e portierët, ku klubin e qytetit e ka përfaqësuar edhe në garat ndërkombëtare.