S'ka qetësi në Juventus - Max Allegri dhe Paulo Dybala fjalosen zëshëm - NACIONALE

S'ka qetësi në Juventus - Max Allegri dhe Paulo Dybala fjalosen zëshëm

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Çështja e mbetur pezull e rinovimit të kontratës së Paulo Dybala ka ftohur raportet mes këtij të fundit dhe Juventusit. Për të mos munguar vetëm kjo, numri i sotëm i Gazzetta Dello Sport flet edhe për një fjalosje aspak të këndshme ndërmjet Max Allegrit dhe yllit argjentinas në seancën e djeshme stërvitore.


Juventus po mundohet të këndellet pas një tjetër mbrëmjeje dëshpëruese që pati të mërkurën, ku për vitin e tretë rresht u eliminua në 1/8-en e finales të Ligës së Kampionëve. Kësaj radhe ishte "nëndetësja e verdhë", Villarreal, ekipi që i privoi nga ambicia për të kaluar në çerekfinale të kompeticionit në fjalë.

Gjithsesi, pavarësisht disa mobilizimeve, si kontaktet me agjentin e mbrojtësit të Chelseat, Antonio Rudiger, që i përafruan palët drejt arritjes së një marrëveshjeje të parakohshme mes dy palëve, çka do të bënte që mbrojtësi gjerman t'i bashkohej "zonjës së vjetër" në parametra zero" - Juventus prapëseprapë duhet ta zgjidhë një problem të brendshëm. Ai quhet Paulo Dybala!

Për të mos mjaftuar zhagitja e madhe e trajtimit dinjitoz të rinovimit të kontratës që skadon në fund të qershorit të këtij, sot, në numrin e saj të ri, e përditshmja sportive italiane Gazzetta Dello Sport, shkruan që dita e djeshme në Continassa nuk ka qenë prej më të qetave të mundshme. Krejt kjo sepse aty ka ndodhur një fjalosje shumë e theksuar, me tone energjike, mes Max Allegrit dhe Paulo Dybales. Arsyeja e gjithë këtij pezmi ka të bëjë me kërkesën lojtarit argjentinas për ta shtyrë orarin e seancës stërvitore që është sot në program. Ai gjeti edhe përkrahjen e Juan Cuadrados.

Me ta dëgjuar një kërkesë të tillë, Max Allegri është revoltuar dhe nuk e ka pranuar aspak mirë. Kërkesa e Paulo Dybales në cilësinë e zëvendës-kapitenit ka të bëjë me atë, siç e quan ai, "nevojë" për të pasur më shumë orë pushimi, ndryshe nga seç e ka parashikuar trajneri italian. Një gjë e tillë do të bënte që orari i sotëm i seancës stërvitore të pësonte ndryshim.

Shtypi i afërt me Juventusin shkruan që një kundërshtim të tillë nga Joya, trajneri Allegri e sheh si "tradhti" prej njërit nga lojtarët më besnik, që gjithashtu ka petkun e ndër udhëheqësve të grupit.

Nëse Juventus kërkonte qetësi para përgatitjes së ndeshjes kampionale që i pret ndaj Salernitanes, një gjest i tillë nga Paulo Dybala thuhet që nuk i ka ndihmuar aspak këtij qëllimi dhe situatës në përgjithësi.

Kjo përplasje vjen pas disa orëve që ambienti juventin ka kritikuar qasjen aspak energjike që kanë vërejtur tek argjentinasi, pasi ky i fundit është futur në ndeshje ndaj Villarreal pa dhënë diçka më shumë sesa 11 titullarët që u inkuadruan nga fillimi i takimit. Madje, e quajtën paraqitje atipike dhe pa vullnet. Pas kësaj erdhën edhe fjalët e njërit prej drejtuesve të Juventus, Maurizo Arrivabene, i cili deklaroi që kontakti i fundit me agjentin e sulmuesit ishte në dhjetori e largët, por sqaroi që ende nuk ka përfunduar asgjë dhe se tani i mbetet Dybales të paraqitet me kërkesa më racionale.

Ndërkohë, edhe para kësaj përplasje verbale mes trajnerit dhe Dybales, ky i fundit që prej transferimit të sulmuesit serb, Dusan Vlahovic, ka dalur jashtë orbitës së stafit teknik juventin, pasi para tij po preferohet dyshja mes Alvaro Morates dhe sulmuesit të ardhur nga Fiorentina, Vlahovic.

As për takimin e nesërm ndaj Salernitanes në Allianz Stadium që është në program me fillim në ora 15:00, nuk pritet të ketë vend për t'u paraqitur nga minuta e parë për Dybalen. Kjo sa për ta kurorëzuar edhe më shumë ftohjen dhe distancën e krijuar mes tij dhe klubit. Tani, në Juventus është më shumë hije sesa lojtar produktiv. Kështu pritet të vazhdojë të jetë deri në një zhbllokim të mundshëm të çështjes së kontratës: -gjë e cila po duket çdoherë e më larg.

Lajme të ngjashme