S’ka fitues në “Old Trafford”, Man Utd e Tottenham ndajnë pikët
Manchester United dhe Tottenham kanë ndarë pikët në kryederbin e xhiros së 21-të në Premierligë.
Derbi anglez ishte mjaftë i zjarrtë nga minuta e parë, ku dy skuadrat kishin raste të shumta shënimi por epilogu përfundimtar rezultoi të jetë 2:2.
Rasmus Hojlund pas vetëm tre minutave lojë i dha epërsinë Man Unitedit, duke shënuar një gol të bukur.
Megjithatë, Tottenham u këndell shpejtë me Richarlison që realizoi me kokë pas harkimit nga këndi të Porros (19’).
Man Utd vazhdoi të krijonte më shumë raste dhe riktheu epërsinë me Marcus Rashford, që pas një bashkëpunimi me Hojlund arriti ta tund portën mysafire (40’).
Sidoqoftë, një minutë pasi nisi pjesa e dytë, Tottenham e barazoi sërish rezultatin. Ishte Rodrigo Bentacur që realizoi një gol të bukur pas asistimit të Timo Werner (46’).
Man United kishte edhe dy mundësi të arta përmes McTominay dhe Rashford mirëpo të dy dështuan nga afërsia.
Tottenham tani renditet në pozitën e pestë me 40 pikë, derisa Man United në vendin e shtatë me 32 sosh.