S’ka alkool, s’ka vonesa e as kuzhinier personal: 5 rregullat e rrepta të Ten Hagut për yjet e Man Unitedit
Erik ten Hag i ka vendosur pesë rregulla të rrepta të cilat dëshiron që lojtarët e tij në Manchester Unitedi t’iu përmbahen me përpikëri.
Trajneri holandez, i cili u emërua nga Unitedi në prill, do ta udhëheqë skuadrën e djajve të kuq në sezonin e ri dhe tani ka filluar të njoftohet me lojtarët e tij të rinj.
Së shpejti Unitedi do të niset në një turne përgatitor në Tajlandë dhe Australi, për të stërvitur për sezonin e ri në Premierligë, i cili nis në gusht.
Ten Hag ka filluar të njoftohet me lojtarët e tij në qendrën stërvitore në Carrignton dhe po i zbaton tashmë teknikat dhe metodat e veta.
Një njeri me disiplinë të rreptë, 52-vjeçari i ka vendosur disa rregullat të reja të cilët pret që lojtarët e tij t’i zbatojnë plotësisht.
Sipas mediave britanike, ndër rregullat më të rrepta është ajo e vonesave, pasi secili lojtar që vonohet në stërvitje apo takime të ekipit, do të lihet jashtë ndeshjes së radhës pa përjashtim.

Pirja e alkoolit gjatë një jave kur skuadra ka ndeshje zyrtare është po ashtu i ndaluar nën rregullat e reja të holandezit. Kjo nënkupton se praktikisht lojtarët e Unitedit e kanë të ndaluar të pinë alkool gjatë gjithë vitit, sepse Unitedi ka lojë dy herë në javë rregullisht, duke ditur se do të luajë edhe në Ligën e Evropës.
Ten Hag e ka larguar edhe menynë e ushqimit, me peshkun dhe perimet që do të jenë shumë më të pranishme në kohët e ushqimit.
Disa lojtarë të Unitedit, si Luke Shaw, kanë treguar publikisht në të kaluarën se kanë kuzhinierë personalë duke zgjedhur vetë çfarë të hanë.
Por nën urdhrat e Ten Hag, çdo lojtar do ta ketë një plan të ri unik të ushqimit për nevojat individuale. Dallimi i vetëm është se plani do të kontrollohet nga klubi.
Holandezi iu ka kërkuar lojtarëve po ashtu që ta mbajnë peshën në nivel dhe pesha e tyre do të matet një herë në javë.
Dhe në fund, ai iu ka kërkuar të gjithë lojtarëve që çfarëdo ankese apo deklarate të bëhet direkt te ai, e jo te menaxherët e vet apo burimet.