Siç raportoi Nacionale, Dritan Maqkaj i bashkohet Kosovës
Sulmuesi anësor i Eintracht Frankfurt, Dritan Maqkaj, i është bashkuar kombëtares së Kosovës, ashtu siç raportoi Gazeta Nacionale dy muaj më parë.
Maqkaj më parë kishte përfaqësuar Gjermaninë U18, por tani ai ka vendosur që të përfaqësojë ngjyrat e vendit nga vjen.
Në një komunikatë në faqen zyrtare të Federatë së Futbollit të Kosovës, thuhet se tashmë futbollisti i talentuar i ka thënë ‘PO’ Kosovës, në një takim me presidentin e FFK-së, Agim Ademin dhe Drejtorin e Kombëtares, Muharrem Sahitin.

18-vjeçari është pjesë e skuadrës së Frankfurtit U19, që bënë garë në nivelin më të lartë për këtë gjeneratë, pra në Bundesligë, ku deri më tani ka zhvilluar katër ndeshje në këtë sezon duke shënuar një gol.

Në një intervistë për Nacionalen para dy muajsh, babai i Dritanit, Idajet Maqkaj tha se djali i tij është i interesuar ta përfaqësojë Kosovën dhe se janë në bisedime të vazhdueshme me FFK-në, por se takimin e fundit e kishin lënë që të bëhet në shtator.
“Po, kemi pasur kontakte dhe ne vazhdojmë të jemi në kontakte. E kemi lënë që në shtator të takohemi prapë me FFK-në”, tha Idajeti, babai i futbollistit për Gazetën Nacionale.
Babai i tij tregoi se qëllimi kryesor i djalit të tij si fillim është të fitojë kontratë profesionale, sepse pa atë nuk do t’i nevojitej as Kosovës.
“Po (ka interesim), por njëherë është i fokusuar që të fitojë kontratën e parë profesionale. Po synon që deri në fund të vitit ta marrë kontratën. Pa kontratë profesionale, nuk mundet me i ndihmu Kosovës”.
FFK-ja ka bërë të ditur se talenti kosovar fillimisht do të luajë për Kosovën U21 dhe pastaj në bazë të paraqitjeve të bëjë ngritjen e tij në Kombëtaren A.
Dritan Maqkaj për Gjermaninë U18 që nga nëntori i vitit 2021 ka zhvilluar tri paraqitje, duke startuar në një ndeshje dhe në dy tjera kishte filluar nga banka rezervë.

Më 12 dhjetor të vitit 2021, ai kishte shënuar golin e vetëm për Gjermaninë në humbjen ndaj Rusisë 3:1, në një miqësore të zhvilluar në Izrael.
Me ikjen e shumë talenteve nga duart, tani FFK ka nisur të marrë më seriozisht punën e lojtarëve të rinj, fillimisht me afrimin e Drini Miftaraj, që luan në Kaiserslautern, dhe tani afrimin e Dritan Maqkaj të Eintracht Frankfurt.
