Si Man City e pengoi Barcelonën për të nënshkruar me Savinhon
Për sulmuesin Savinho opsioni i parë ishte të luante për Barcelonën, mirëpo duke nisur nga 1 korriku, braziliani do të jetë pjesë e Manchester Cityt.
Anësori po shkëlqen momentalisht te Girona dhe pavarësisht a luan skuadra apo jo në Ligën e Kampionëve më 2025, është vendosur që t’i bashkohet klubit të drejtuar nga Pep Guardiola.
“Shpërthimi” i Savinhos ndikoi të ketë oferta të njëpasnjëshme qysh në afatin e dimrit (Bayer Leverkusen), gjë që ndikoi që Man City të paguajë 30 milionë euro për ta siguruar qysh tani.
Mirëpo, sipas “Sport” edhe Barcelona ka qenë shumë e interesuar ndërsa për drejtorin sportiv Deco, lojtari ishte qëllimi kryesor për verën tjetër.
Duke marrë vesh për interesimin e Barcelonës, Man City u ndje në rrezik që mund ta humbasë brazilianin andaj reagoi shpejtë. Në dhjetor, Txiki Begiristain dhe Pep Guardiola kishin vendosur që lojtari të jetë pjesë e ekipit të parë.
Sapo afati dimëror u mbyll, marrëveshja me brazilianin u kompletua, i cili do të nënshkruajë për pesë vite. Një vlerë nga transferimi do të fitojë edhe ish klubi Troyes, që gjithashtu njësoi si Girona kanë drejtuesit e njëjtë, pra sheikët e Man Cityt.
Raporti shton se për Savinhon kalimi te Barcelona ishte prioritet, mirëpo duke marrë parasysh situatën e fair-playit financiar, klubi katalunas nuk ishte në gjendje t’i kërkonte lojtarit që të priste.
Kësisoj, braziliani vendosi ta zgjedhë opsionin e dytë, aty ku do të trajnohet nga trajneri më i mirë në botë.