Si baba, si biri: Djali i Carlo Ancelottit pritet ta merr drejtimin e gjigantit zviceran
Djali i Carlo Ancelottit, Davide është shumë afër të arrijë marrëveshje për të marrë drejtimin e gjigantit zviceran, Basel.
33-vjeçari momentalisht është asistent i Ancelottit, por siç raporton "Marca" shihet si favoriti për t'u bërë trajneri i ardhshëm i Baselit në sezonin tjetër.
Raporti shton se pavarësisht që ka edhe një vit kontratë, Davide Ancelotti është i hapur që të largohet nga skuadra madrilene për të marrë për herë të parë në karrierë drejtimin e një klubi.
Ai ka një karrierë të madhe si asistent, pasi ka qenë pranë babait të tij te klubet si Napoli, Everton, Bayern Munich dhe tani Real Madrid.

Basel është në kërkim të një trajneri pasi Heiko Vogel është ushtrues detyre që nga shkurti, kur klubi vendosi ta shkarkojë trajnerin Alexander Frei.
Këtë edicion skuadra zvicerane ka qenë tejet e dobët, duke u renditur e pesta në Superligë, plot 20 pikë më pak se lideri Young Boys.
Duke folur për mundësinë që djali i tij të bëhet trajner, Ancelotti në janar kishte deklaruar: "Davide ka dëshirë të bëhet trajner. Një ditë do të bëhet".
"Ai është shumë i lumtur këtu. Në ditën që do të ndaloj së stërvituri ose ai të vendos, ai do të largohet. Ai ka fuqinë për ta bërë. Puna jonë këtu ende s'ka përfunduar".