Shqipëria i nis përgatitjet për përballjen ndaj Ukrainës - NACIONALE

Shqipëria i nis përgatitjet për përballjen ndaj Ukrainës

1 vit më parë

nga NACIONALE

Kombëtarja e Shqipërisë është rikthyer menjëherë në stërvitje për t’u përgatitur për përballjen finale të Ligës së Kombeve ndaj Ukrainës.

Pas barazimit ndaj Çekisë, “Kuq e Zinjtë” duhet me doemos të fitojnë ndaj Ukrainës si dhe të shpresojnë që çekët të lëshojnë pikë ndaj Gjeorgjisë për të avancuar si lider në ligën A të Ligës së Kombeve.

FSHF-ja ka informuar se Shqipëria tashmë i ka nisur stërvitjet, ndërsa mund të mungojë në këtë përballje Jasir Asani, i cili pësoi lëndim ndaj Çekisë dhe brenda pak orëve do të mësohet nëse do të jetë gati.

“Kombëtarja shqiptare është rikthyer në fushë dhe ka nisur zyrtarisht përgatitjet për ndeshjen e fundit në grupin B1 të UEFA Nations League ndaj Ukrainës, e programuar për t’u luajtur të martën e 19 nëntorit në stadiumin “Air Albania”, në orën 20:45.

Skuadra zhvilloi sot një seancë stërvitore në “Shtëpinë e Futbollit”. Lojtarët që nuk u aktivizuan ndaj Çekisë zhvilluan një seancë të plotë e fokusuar më shumë te puna me topin dhe situatave të ndryshme të lojës. Ndërsa lojtarët të cilët luajtën titullar bënë vetëm shkrythje në palestër dhe fizioterapi.

Departamenti i Komunikimit në FSHF bën me dije se sulmuesi Jasir Asani do t’i nënshtrohet ekzaminimeve mjekësore pas problemit që pati në ndeshjen ndaj Çekisë dhe më pas do të vendoset nëse do të jetë i gatshëm apo jo për takimin ndaj Ukrainës”, thuhet ndër të tjera në komunikatë.

Përndryshe, përballja mes Shqipërisë dhe Ukrainës do të zhvillohet më 19 nëntor në “Air Albania”.

Lajme të ngjashme