Shpërthen Di Maria: Mjaft më me gënjeshtra, nuk do të largohem në janar sepse jam i lumtur në këtë klub
Di Maria shumë pak ndeshje ka luajtur me Juventusin deri më tani në këtë sezon për shkak të lëndimeve të shumta. Ai është lidhur me një largim nga klubi në janar, por i njëjti e ka mohuar kategorikisht një gjë të tillë.
Juventus nuk po kalon në ditët e veta më të lavdishme. Eliminimi i parakohshëm nga Liga e Kampionëve ka trazuar ujërat në klub. Në mesin e atyre që mediet i paraqesin si të pakënaqur është edhe ylli argjentinas, Di Maria.
Për t’i sqaruar të gjitha ka qenë vetë sulmuesi argjentinas ai që me anë të një shkrimi në rrjetin social “Instagram” që ka reaguar ndaj këtyre zërave. Po i njëjti nuk do të mund të rikthehet në gatishmëri për Juventusin deri pas pauzës për Kupën e Botës.
Në një shpjegim të gjatë dhe të pazakonshëm siç e cilësoi edhe ai vetë, deklaroi të gjithë lumturinë e tij që është pjesë e Juventusit.
Reagimi i plotë i Di Marias
Di Maria nuk do të largohet asgjëkundi në afatin kalimtar dimëror të janarit, e aq më pak në Rosario. Për këtë është zotuar vetë 34-vjeçari.
“Nuk jam mësuar që të jap shpjegime kur të lexoj gënjeshtra të tilla, por është koha që të flas. Nuk e di se kush i ka fantazuar zërat që do të largohem në janar. Deklaratat e mia që keni lexuar kur them që do të pensionohem në ‘Rosario Central’ (klub nga ku e kam filluar karrierën time) janë ricikluar, sepse ato i kam bërë që prej ditës së parë që kam ardhur në Evropë më 2007”, shpjegoi Di Maria.
Ai vazhdoi tutje duke bërë të qartë se një dëshirë e tillë për t’u kthyer një ditë në Argjentinë nuk nënkupton se në kohën e tanishme apo në janar do të largohet nga Juventusi.
“Kjo nuk nënkupton që dua të largohem sot apo që do të largohem në janar. Ju lutem, pushoni së shpikuri lajme. Jam shumë i lumtur në këtë klub të madh. Jam shumë i lumtur në këtë qytet dhe kur do të jem sërish në formë do ta jap më të mirën prej vetes siç kam bërë gjithnjë kur kam luajtur këtu dhe në të gjitha ekipet që kam qenë”, nënvizoi ai.
Di Maria në fund të reagimit ka saktësuar se sa shumë e dashuron të luajturit futboll dhe sa shumë vuan kur nuk mund t’u ndihmojë bashkëlojtarëve në fushë.
“E dashuroj të luajturit futboll. Nuk më pëlqen t’i shikoj ndeshjet nga shtëpia. Më pëlqen që t’i luajë ato. Kështu që, ju lutem, mos i besoni çdo lajmi që lexoni, sepse nuk ndihmon asgjë. Vetëm dëmton emri tim dhe të gjithë. Faleminderit shumë. ‘Deri në fund’ (slogan i tifozëve të Juventusit për t’i shprehur admirim klubit)”, përfundoi ai.
Deri më sot me fanellën e Juventusit ai ka zhvilluar vetëm katër paraqitje në Serie A, duke shënuar një gol dhe një asist.

