Juventusit nuk i ndalen telashet, Di Maria jashtë fushës për tre javë
Problemet te Juventusi janë të panumërta në këtë fillim sezoni aq të çuditshëm, saqë vështirë ishte të parashikohej si i tillë. Këto probleme nuk pushojnë, pasi klubi ka njoftuar se Di Maria do të mbesë jashtë fushës së blertë për tre javë.
Yllit argjentinas, Di Maria, iu deshën disa javë të tëra që të mendohej nëse ta pranonte apo jo ofertën e Juventusit.
Me të vendosur që karrierën ta vazhdojë te “zonja e vjetër”, filluan të lindin problemet në formë zinxhirore. Debutimi ishte i mirë ndaj Sassuolos me fitoren 3:0 në kampionat, kur edhe shënoi gol. Menjëherë më pas u lëndua dhe qëndroi disa javë në infermeri.
Lëndimin e radhës ai e vuri në pah para dy ditësh në sfidën në udhëtim që Juventus e humbi ndaj Maccabi Haifas 2:0.
Pas ekzaminimeve mjekësore që zhvilloi 34-vjeçari, u konstatua se ai do të mungojë për afro 20 ditë. Kjo nënkupton se do të jetë në gjendje të rikthehet për Argjentinën në Botëror, por jo edhe në ndeshjet e mbetura deri tek ajo pauzë me Juventusin.

Deri më tani në kampionat Di Maria ka luajtur vetëm 187 minuta, që është ekuivalent i diç më shumë se dy ndeshjesh të plota.
Ai më shumë ka qëndruar jashtë fushës sesa që ka mundur Allegri të llogarisë në shërbimet e tij. Vetëm në Serie A deri më tani ka humbur pesë ndeshje nga nëntë sa janë zhvilluar në tërësi.
Shifra këto që brengosin me të drejtë të gjithë tifozët e Juventusit, të cilët ishin shfaqur vërtet të lumtur me afrimin e një lojtari me përvojë si ai. Nga ai pritej një përvojë optimale për ta udhëhequr skuadrën drejt triumfeve në ndeshje të mëdha. Të paktën deri në këtë periudhë kohore, Di Maria nuk ka arritur të shndërrohet në atë lojtar që i sanon sadopak problemet e shumta të Juventusit.
Shpresat tani mbeten që ai të mund të ketë një vazhdimësi më të rregullt në kampionat pasi të rikthehet nga Botërori i Katarit 2022.
Kujtojmë se me “zonjën e vjetër” Di Maria ka nënshkruar kontratë një-vjeçare. Akoma është e paqartë se çfarë veprimi do të ndërmarrë nga qershori i vitit të ardhshëm.
Disa tifozë të Juventusit kanë shpërthyer me konspiracione, kritika dhe akuza ndaj tij, duke thënë se po fantazon lëndime vetëm për t’u kujdesur që të mos shpenzojë shumë energji para Botërorit që është në program nga gjysma e muajit nëntor. Ashtu siç dihet, Argjentina llogaritet njëra nga favoritet për të ngadhënjyer në kompeticionin më të çmuar në nivel kombëtaresh.

