Allegri: S’e kam ndër mend të jap dorëheqje, sfida po bëhet edhe më e bukur tani
Max Allegri është deklaruar në fund të ndeshjes kundër Maccabi Haifit, ku skuadra e tij pësoi disfatën e radhës me rezultat 2:0, që ishte edhe e treta nga katër takime sa i ka zhvilluar në Ligën e Kampionëve.
Edhe pse është në bankën e të akuzuarve për një fillim të sezonit turpërues, trajneri italian gjatë deklarimit për “Sky Sport Italia” pohoi se nuk e ka ndër mend të ofrojë dorëheqje.
Gazetarja ia parashtroi pyetjen nëse ka menduar ndonjëherë gjatë kësaj periudhe që të dorëhiqet, ndërsa përgjigja e tij ishte si vijon: “Jo. Një sfidë kur shndërrohet në të vështirë bëhet akoma më e bukur. Duhet të dalim nga kjo situatë me kurajo dhe dëshirë.”
I pari që u prononcua pas humbjes 2:0 ndaj Maccabi Haifit ishte vetë presidenti i Juventusit, Andrea Agnelli. Ai bukfalisht tha se të gjithë duhet të ndihen me turp dhe se problemi nuk është te një njeri i vetëm, por te grupi që nuk po funksionon.
Në lidhje me këtë prononcim të tij, u pajtua edhe Allegri: “Ka të drejtë. Ka qenë pjesa e parë më e shëmtuar që kemi bërë. Nganjëherë ka nevojë që të mbyllemi në grumbullim. Kemi më shumë kohë për të punuar dhe nuk është e drejtë të bëjmë paraqitje si kjo.”

Juventus me këtë humbje ia ka vështirësuar vetes tej mase çështjen e kualifikimit. Tifozët juventinë tani po bëjnë llogaritë më së shumti duke shpresuar te një hap fals i Benficas në ndeshjen me Maccabi Haifan dhe te PSG që ta mposht skuadrën e Benfica. Njëherësh, Juventus duhet t’i fitojë të dy ndeshjet e mbetura për ta bërë një mrekulli të duket realitet.

Pra, vetëm në këtë ekuacion Juventus do të mund të kualifikohej.
Megjithatë, pavarësisht këtij rezultati tejet neveritës për kampin juventin, Allegri nuk gjen fjalët për të shpjeguar se çfarë ndodhi: “Vështirë është të jepet ndonjë shpjegim. Vetëm duhet të qëndrojmë të heshtur, sepse nuk kemi bërë një paraqitje të mirë nga aspekti karakterial. Duhet të dalim nga kjo situatë dhe të qëndrojmë me gojë të mbyllur.”
Trajneri italian tregoi se çka po i mungon skuadrës, duke mos bërë shumë lojëra fjalësh: “Nuk ka të bëjë me çështje teknike apo taktike. Thjesht, mungon zemra dhe pasioni. Luajmë shumë individualisht. Duhet të rikthehemi që të luajmë si skuadër.”
Juventusin e pret një sfidë e vështirë në kampionat, pasi të shtunën do të luajë në derbin lokal kundër Torinos të Ivan Juric dhe futbollistit të Kombëtares së Kosovës, Mërgim Vojvodës.
Edhe në rastin e Serie A, Juventus ka ngecur mbrapa, aq më shumë pas disfatës të javës së kaluar ndaj Milanit në “San Siro” me rezultat 2:0.

Tani “bardhezinjtë” renditen në pozitën e 8-t me 13 pikë. Thënë ndryshe, dhjetë pikë më pak sesa lideri në kampionat, Napoli.

