Shorti për çerekfinalet dhe gjysmëfinalet e LK: Gjithçka që duhet të dini
Të premten me fillim nga ora 12:00 do të tërhiqet shorti për çerekfinalet dhe gjysmëfinalet e Ligës së Kampionëve.
Për dallim nga të gjithë fazat e kaluara, shorti do të jetë i hapur – ku të gjitha klubet mund të përballen me njëra-tjetrën pavarësisht a janë nga i njëjti shtet.
Fillimisht do të tërhiqet shorti për çerekfinalet, e pastaj edhe shorti për gjysmëfinalen, pra në të njëjtën mënyrë si vitin e kaluar.
Ndoshta do të jetë për herë të fundit që shorti tërhiqet nga legjendat e futbollit, pas raportimeve se nga sezoni i ri do t’i besohet kompjuterit.
Cilat skuadra janë kualifikuar?
Me dy ndeshjet e zhvilluara të mërkurën mbrëma, tashmë janë mësuar emrat e tetë skuadrave që kanë avancuar në çerekfinalen e Ligës së Kampionëve.
Pas një kohe të gjatë, dominojnë klubet spanjolle me tre klube, pra Real Madrid, Barcelona dhe Atletico Madrid, dy angleze Manchester City dhe Arsenal, dy gjermane Bayern Munich dhe Borussia Dortmund si dhe një francez PSG.
Kur do të zhvillohen ndeshjet çerekfinale dhe gjysmëfinale?
Ndeshjet e para çerekfinaliste zhvillohen më 9/10 prill 2024, kurse ato kthyese më 16/17 prill 2024. Ndërkohë, gjysmëfinalet janë paraparë dy javë më vonë pra 30 prill/1 maj 2024 kurse kthyese më 7/8 maj 2024.