Shkëlqyen në Turqi: Rashica e Zeqiri në formacionin e javës
Dy sulmuesit Milot Rashica dhe Altin Zeqiri kanë hyrë në formacionin më të mirë të javës në Superligën e Turqisë.
Anësori i Besiktasit shkëlqeu pavarësisht humbjes nga Antalyaspor, ku asistoi dhe shënoi në fakt, por që goli iu anulua shkaku që e kishte prekur topin me dy këmbët kur godiste penalltinë.
Sidoqoftë, paraqitja e Rashicës u vlerësua lartë shkaku që ishte i gjithanshëm në fushë duke bërë driblime të njëpasnjëshme.
Në të njëjtën mënyrë shkëlqeu edhe sulmuesi i Rizesporit Altin Zeqiri, që hyri si zëvendësues dhe kontribuoi me një gol dhe asistim në fitoren ndaj Gaziantep.
Kështu, “Whoscored” ka bërë publike formacionin më të mirë të javës duke e vlerësuar Rashicën me notën 8.6, ndërsa Zeqirin me notën 8.0.

Rashica tani do t’i bashkohet kombëtares së Kosovës në dy miqësoret ndaj Armenisë, respektivisht Hungarisë, kurse Zeqiri ndodhet vetëm në listën e gjerë të përzgjedhësit Franco Foda.
Kosova do të përballet me Armeninë pas katër ditëve, më 22 mars, derisa me Hungarinë më 26 mars 2024.