Shkëlqimi i sotëm i Zhegrovës: Një shtyllë e goditur dhe dy herë i përfshirë në golat e shënuar të Lille (VIDEO)
Sot, Edon Zhegrova pati minutazh të kënaqshëm kundër Troyes në fitoren e sotme 5:1, si pasojë e një “fatkeqësie sportive”, pasi Adam Ounas u detyrua shumë shpejt të largohej nga loja. Me t’u inkuadruar në lojë sulmuesi 23-vjeç dha impaktin e tij.
U inkuadrua që në minutën e 8-të, pasi Ounas, ish-ylli i Napolit, nuk po ia dilte që të qëndronte më në fushë pas një lëndimi të rëndë që pranoi, ku u desh edhe ndërhyrja e stafit mjekësor.
Ky ishte një “fat në fatkeqësi” për Zhegrovën, që iu dha mundësia nga trajneri Fonseca që ta afirmonte vetën, në një që Lille po synontr që ta fitonte medoemos për t’iu afruar zonës të Ligës së Kampionëve.

Zhegrova u pa menjëherë në disponim të mirë për lojë, por edhe paksa i nevrikosur. Gjendje emotive që mendohet se i faturohet faktit që nuk po arrin ta etablojë pozitën e startuesit në ekip, duke u lënë shpesh në stol.
Gjithsesi, Zhegrova nuk vonoi shumë për t’i treguar cilësitë e veta. Fillimisht, në minutën e 39-të, bëri atë që i shkon përshtati më së shumti: finta, lirimi nga kundërshtari dhe goditja. Një lëvizje e tillë përfundoi me goditjen e 23-vjeçarit që u ndal nga shtylla e djathtë e portierit kundërshtar.
Paraqitja e përfaqësuesit kosovar vazhdoi të ishte pozitive edhe në pjesën e mbetur të lojës. Në minutën e 69-të ai goditi për mrekulli në afërsi të zonës me këmbën e tij të djathtë. Goditje kjo që po shkonte sigurt drejt futjes në brendi të rrjetës, por që u ndal mrekullisht nga mbrojtësi kundërshtar. Portieri vetëm se ishte i mposhtur.
Ndërkaq në minutën e 74-të ai u tregua sërish produktiv. Gjithmonë me stilin e njëjtë, atë të fintës dhe goditjes së shpejtë në brendi të 16-metërshit, prodhoi golin e katërt të Lillet. Në këtë rast ishte vetë Lis ai që priti goditjen e tij dhe më pas nga afërsia, me portën e zbrazur, nuk gaboi Virginua duke shënuar për 4:1.
Nga këmbët e Zhegrovës nisi edhe aksioni i golit të fundit, atij për 5:1 që u shënua nga David në minutën e 88-të, megjithëse në rastin në fjalë impakti ose pesha në gol ishte më e vogël. Më meritor ishte Cabella që gjeti të lirë sulmuesin 23-vjeç kanadez.
Gjithsesi, përgjithësisht ishte në element të mirë, duke qenë shpesh aktiv në aksionet e skuadrës së tij, që ndikoi edhe në këtë fitore të thellë të korrur.
Mediumi francez glorifikon Zhegrovën
“Veç goli apo asisti i munguan” – ishin vlerësimet që dhanë mediet franceze për paraqitjen e sotme të Zhegrovës. Mediumi i afërt me Lille, “Le Petit Lillois”, shkroi se sulmuesi i Kombëtares së Kosovës hyri në ndeshjen me qasjen e atillë saqë dukej i frustruar, por që në të vërtetë i bëri të gjitha, në përjashtim të golit dhe asistit.
Që prej emërimit të trajnerit Fonseca në krye të stafit teknik të skuadrës, Zhegrova është shoqëruar me shumë probleme për të treguar një stabilitet të dëshiruar me minuta në fushë.

Luhatje në formë dhe një reflektim pakënaqësie është ajo që është vërejtur tek ai gjatë këtyre muajve. Gjatë këtij sezoni të Ligue 1, vetëm në pesë (5) ndeshje i është besuar pozita e titullarit në formacion.
Ndërkaq në gjashtë ndeshje tjera ka qëndruar në bankinë pa u futur fare në lojë. Ta zëmë, diçka e tillë ndodhi edhe gjatë mesjavës, në barazimin që Lille shënoi kundër Stade Brestois me rezultat 0:0.
Gjithsesi, ia vlen të cekët gjithashtu fakti që sulmuesi teknik kosovar akoma nuk ka arritur të zhbllokohet gjatë këtij sezoni sa i përket golave të shënuar. Asnjë gol dhe asnjë asist deri më tani. Disa paraqitje të mira, si ajo e sotmja dhe shumë luhatje në formë – janë ato që kanë karakterizuar sezonin e tij deri më sot.

