Shkëlqim Vladi nuk ia mbyll derën Zvicrës: Një ftesë e ka hijeshinë e vet
Sulmuesi me prejardhje nga Kosova, Shkëlqim Vladi nuk i ka mbyllur derën mundësisë që të luajë për Zvicrën, por thotë se edhe përfaqësimi i “Dardanëve” është në mendjen e tij.
Vladi ka kaluar një super edicion te Aarau ku pastaj edhe bëri hapin e madh duke nënshkruar kontratë me klubin e madh zviceran, Lugano.
22-vjeçari ka pasaportën e Kosovës dhe Zvicrës, por deri më tani nuk ka luajtur për asnjërën kombëtare pavarësisht që u ftua te “Dardanët” në muajin shtator, mirëpo fatkeqësisht s’arriti të vinte shkaku i një lëndimi.
Në një intervistë për “Corriere del Ticino”, Vladi ka deklaruar se Kosova vazhdon të jetë në mendjen e tij pavarësisht që s’ka marrë ftesë që nga shtatori.
“Po, Kosova është padyshim një temë që strehon mendimet e mia. Angazhimet e radhës janë në agjendë në shtator, do të shohim nëse do të shfaqet një mundësi e re deri atëherë”.

I pyetur si do të vepronte nëse merr ndonjë ftesë nga Zvicra, Vladi shtoi se ajo ftesë do të ketë hijeshi por s’mundet ta harrojë origjinën e prindërve të tij.
“Sigurisht që hipoteza e një thirrjeje ka hijeshinë e saj, por në të njëjtën kohë nuk mund të harroj origjinën e prindërve të mi”.
Ai komentoi edhe veprimin e Uran Bislimit që e tradhtoi Kosovën për Zvicrën duke shtuar se janë vendime personale të lojtarëve.
“Janë zgjedhje shumë personale, të cilat secili prej nesh i vlerëson me kujdes në momentin e duhur”, nënvizoi ai.
Kujtojmë, Vladi pasi u shërua nga ai lëndim ka vazhduar me formën e lartë te Aarau mirëpo ish trajneri i Kosovës Alain Giresse preferoi të ftonte Jetmir Topallin apo edhe Albion Rrahmanin para tij.