Shkëlqen Odegaard, Arsenal triumfon bindshëm ndaj Bournemouth
Ashtu siç pritej, Arsenal ka arkëtuar pikët e plota në udhëtim te Bournemouth.
"Topçinjtë" morën fitoren e tretë radhazi në kampionatin anglez herë të parë pas 18 viteve, duke mposhtur Bournemouth me rezultat 0:3.
Skuadra e Mikel Artetas e nisi për mrekulli takimin duke kaluar në epërsi pas vetëm pesë minutave lojë më anë të Martin Odegaard. Norvegjezi realizoi nga afërsia pas një topi të kthyer nga goditja e Gabriel Martinellit.
I njëjti më pas dyfishoi rezultatin duke shënuar një gol tejet të bukur pas një tjetër aksioni të shpejtë (11').
Arsenal kishte edhe disa raste të tjera që të shënonte edhe disa herë, por që nuk arritën t'i konkretizojnë, kështu pjesa e parë mbaroi me rezultat 0:2.
Edhe në pjesën e dytë, "Topçinjtë" ishin shumë herë më të mirë pavarësisht që gjetën vetëm një herë rrugën drejtë rrjetës.
Ishte qendërmbrojtësi Willian Saliba që realizoi golin e parë në fanellën e Arsenalit pas një asistimi të shkëlqyeshëm të Granit Xhakës.
Shqiptari e pa për mrekulli Saliban, që ishte thjeshtë maestral në goditje duke mos i dhënë asnjë shans portierit, goditje të cilën e la të befasuar edhe bashkëlojtarin Oleksander Zinchenko që u pa duke "kapur kokën".
Arsenal në fakt gjeti edhe një herë golin përmes Gabriel Jesus që u asistua nga Odegaard, por që pas rishikimit të VAR-it u anulua për pozitë jashtë loje.
Kështu, Arsenal merr kreun në Premierligë duke qenë momentalisht skuadra e vetme me tre fitore në tre xhiro, pra nëntë pikë, derisa Bournemouth bie në pozitën e 14-të me tre sosh.
Në xhiron e radhës, Arsenali do të jetë nikoqir i Fulhamit derisa Bournemouthin e pret një sfidë tejet e vështirë kundër Liverpoolit si mysafir.